“Drejtësi për familjen Gushi” protestë e dhimbjes në Fier

Familjarë të katër viktimave të aksidentit të së premtes në Fier-Vlorë, kërkojnë drejtësi. Ata dolën të martën në një protestë që zëri i tyre të dëgjohet më fortë nga institucionet, por edhe shoqëria shqiptare.
Slogani i zgjedhur prej tyre ishte “Drejtësi për familjen Gushi”. Pesë ditë më parë katër anëtarë të kësaj familjeje nga Patosi u shuan në një aksident tragjik në aksin Fier- Vlorë. Familjarë e të afërm të tyre u mblodhën në qendër të qytetit të Fierit për të kërkuar drejtësi. “Nuk kam fjalë ta përshkruaj dhimbjen…Na ka mbyllur një derë! Unë kërkoj drejtësi, sidomos për ata dy fëmijë të vegjël, ato dy çupa” tha mes tronditjes një pjesmarrës.
“Nuk jam për hakmarrje asnjëherë…por drejtësia të gjejë të vërtetën…” tha një tjetër pjesmarrës në protestën homazh.
Në aksidentin e së premtes humbi jetën në aksident e gjithë familja Gushi, Eduart Gushi 44-vjeç, Silvana Gushi 33-vjeçe, Anastasia Gushi 14-vjeçare dhe Eva Gushi 9-vjeçare, të cilët sapo ishin kthyer nga Greqia për pushime. Makina e tyre u godit nga një makinë që drejtohej nga një i ri i cili sipas rekordeve të policisë ishte mjaftë problematik në qarkullimin rrugor.