E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtësi "Gërdecit", vonesat pjellin tragjedi

 

Ngjarja e Gërdecit, është më e rënda e 60 viteve të fundit në ushtrinë shqiptare. Dozën e tragjedisë e shton fakti që u përgatit nga strukturat më të larta të shtetit. Berisha dhe Mediu, mund të vazhdojnë të bëjnë herë të paditurin, e herë të pafajshmin, por për këdo është e qartë: përgjegjësia e parë politike, shtetërore dhe ligjore është e këtyre të dyve.

Si ushtarak i lartë, me një karrierë të gjatë në Forcat e Armatosura, mendoj se në këndvështrimet shumëplanëshe të kësaj tragjedie, më duket se po kalohen disa shkelje flagrante e të qëllimshme, që janë thelbësore për analizën e shkaqeve dhe të përgjegjësive. Shkeljet që çuan në këtë tragjedi, mendoj se janë problem kushtetues, ligjor, teknik, ekonomik e natyrisht politik.

Është problem kushtetues, sepse aktualisht Forcat e Armatosura nuk janë ndërtuar sipas përcaktimit të nenit 168, pika 1 e Kushtetutës. Ato nuk përbëhen më nga Forcat Tokësore, Forcat Ajrore e Forcat Detare. Këto në vitin 2006 u shkrinë dhe u krijua Komanda e Forcës. Të paktën deri në fund të vitit 2007 nuk u ndërhy në Kushtetutë. Fjala është që, derisa institucionet (qeveria e kryeministri të parët) nuk respektojnë Kushtetutën, kuptohet se ç'bëhet me problemet e tjera në vijimësi.

Është problem ligjor, sepse dokumenti "Strategjia ushtarake e RSH" e miratuar në vitin 2002 dhe që është në fuqi, nuk është ndryshuar ende; në të nuk përmendet struktura aktuale ushtarake, përbërja, misioni, detyrat e përgjegjësit.

Të dy këto probleme janë të lidhura. Ndryshimet në strategjinë ushtarake ishin të nevojshme, por çështja shtrohet: Përse ndryshimet në Forcat e Armatosura nuk u shoqëruan me ndryshimin e ligjit përkatës? Natyrisht, këtu përgjegjësia është institucionale, pra e Ministrisë së Mbrojtjes dhe e Parlamentit, por edhe e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm.

Është problem teknik, sepse ka shkelje të rënda teknike si zgjedhja e vendit, përcaktimi i sasisë së municionit që do të përpunohej, i rrezes së veprimit në rast aksidenti, i personelit që do të punonte, trajnimi i tyre dhe monitorimi i tërë procesit. Këto e të tjera janë verifikuar apo ende po verifikohen, por del se në ushtrinë shqiptare nuk ka rregullore, por punohet me VKM, urdhra e udhëzime, të cilat shpesh rrinë në dosje e nuk njihen nga zbatuesit.

Është problem politik, sepse në këto 17 vjet janë kryer reforma në FA, por siç rezulton ato kanë pasur më tepër karakter politik, me ndërrim emrash në etiketë dhe nuk është hyrë në brendi të saj. Ja disa shembuj:

- Dihet që FA u transformuan, pra u ndryshua struktura, sasia, misioni etj. Në sektorin e armatimeve dhe municioneve ka pasur një numër specialistësh, ata u hoqën nga puna, u spostuan e shkurtuan, por armët e municionet mbetën ato që ishin para 1992.

- Aktualisht, drejtorët e drejtorive në MM, drejtorët e Shtëpive Ushtarake, drejtorët e uzinave ushtarake janë militantë partiakë, që nuk i lidh gjë me ushtrinë.

- Janë hequr nga puna disa qindra oficerë të specializuar në vendet perëndimore vetëm për bindje politike apo për t'u hapur rrugë militantëve të partisë që i përkiste ministrit.

Është problem ekonomik, sepse lidhet më interesa të larta përfitimi që i kanë rrënjët në piramidën shtetërore. Ja disa shembuj:

- M.Delijorgji megjithëse njihej si i akuzuar nga drejtësia për evazion fiskal, u fut në këtë biznes. Ky person duhet të merret i pandehur qoftë edhe vetëm pse ka shitur çelnikun special të armëve si kullat e tankeve e grykat e zjarrit, për skrap, me çmimin e llamarinës.

- Drejtori i MEICO-s, nga viti 1991 e këtej është pushuar dhe rimarrë në punë disa herë. Pyetja që bëjnë sot të gjithë ushtarakët është: Pse? Vetëm se i njihte në perfeksion marifetet që mbushnin xhepat e ministrave?

***

Problemi i çmontimit të municioneve është një problem tjetër. Ç'duhet bërë? Thuhet se janë mbi 100 mijë ton municione që duhen çmontuar, shqetësimi është, por edhe alarmi nuk duhet dhënë. Mendoj se është urgjente:

1- largimin e municioneve të grumbulluara pranë qendrave të banuara dhe ruajtja e tyre rreptësisht;

2- nxjerrjen e kapaciteteve përpunuese të tre uzinave ushtarake;

3- nëse duhet ndërtuar një qendër e re çmontimi, duhet të zgjidhet me kujdes nga specialistët, të dalin aktet e reja ligjore e nënligjore, të zgjidhet e trajnohet personale, të monitorohet procesi dhe të ketë transparencë;

4- të rishikohet e plotësohet ligji "Mbi autoritetin e drejtimit e komandimit në FA" për të përcaktuar më mirë marrëdhëniet midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm;

5- të rishikohen reformat e kryera në FA e Shërbimin Informativ, të dalin defektet, përgjegjësia dhe të bëhen korrigjimet e nevojshme;

6- të bëhet kontrolli shtetëror mbi shitjen e armëve e municioneve, të dalin shkeljet dhe përgjegjësia për to.

Tragjedia e Gërdecit ka një kryefjalë për përgjegjës, binomin Berisha-Mediu. Jemi para faktit të kryer që shteti ka bërë një krim të përmasave të mëdha, dorëheqjet dhe shkarkimet janë çështje që lidhen me moralin dhe përgjegjësitë politike, ndërsa hetimi për të nxjerrë shkaqet, përgjegjësit e ndëshkimi i fajtorëve është detyrim i organeve të drejtësisë.

Tendencat për ta minimizuar këtë tragjedi, apo për të "fshehur" përgjegjësit, veçse i shton dhimbjet tek të dëmtuarit, dhe mëkatet tek përgjegjësit. Se vonesa "pjell" tragjedi të tjera apo ngjarje të rënda, si ajo e arratisjeve masive (pjesërisht në tentativë) në Burgun e Burrelit. Aksioma e njohur në botë se "Shiko burgjet, shiko fytyrën e shtetit", si shumë kërkesa të tjera, nuk funksionon në Shqipëri. Shteti i "Gërdecit" hoqi nga burgjet specialistët dhe vendosi militantët, që i pollën tjetër ngjarje të rëndë.

Një gjë është e qartë: Ndoshta, tragjedia e Gërdecit do jetë e vetmja ngjarje e rëndë që do të zbardhet. Për t'u mbyllur, kurrsesi!

*Autori është Kolonel në pension

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›