Policia kap sërish drogë në Kakavijë
Këtë herë droga është gjendur në autobusin e linjës Sarandë- Athinë. Pranga pronarit Nandi Kacaj nga Saranda
KAKAVIJË- Një tjetër rast i tentativës së trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Greqisë është evidentuar në Stacionin e Policisë Kufitare të Kakavijës. Vetëm tre orë pas kapjes dhe sekuestrimit të një sasie prej 12.7 kilogramësh drogë, prej së cilës 6. 4 kg e dyshuar si Heroinë dhe 6. 3 kg lëndë narkotike marijuanë e presuar, uniformat blu të Policisë Kufitare kanë gjetur një tjetër sasi lënde narkotike. "Shërbimet e policisë kufitare pas një kontrolli të rigoroz dhe korrekt të ushtruar në autobusin tip Volvo me targa greke "IBI 3366", me drejtues mjeti shtetasin Thanas Mitrakos, i linjës Sarandë –Athinë,pronë e shoqërisë Greke "OSE", në sediljen e fundit është konstatuar një çantë plasmasi ku brenda saj kishte dy pako në formë katrore me peshë një kilogramë e 100 gramë secila, të mbështjella me letër natriban e të mbushura me lëndë narkotike marijuanë e presuar", është shprehur zëdhënësi i policisë, Gentian Mullai. Menjëherë pas konstatimit autobusi është transportuar për në mjediset e Drejtorisë së Policisë, ku pasagjerët janë marrë në pyetje nga specialistë të Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar. "Pas një punë të mirëfilltë profesionale dhe brenda një kohe të shkurtër u arrit të evidentohej poseduesi i kësaj lënde, shtetasi Nandi Kacaj, 26 vjeç, lindur dhe banues në Sarandë. Nga ana jonë u bë sekuestrimi i lëndës narkotike në cilësinë e provës materiale si dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit të lartpërmendur për veprën penale të "Trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike". Në përfundim të deklarimeve të dhëna, pasagjerëtsë bashku me autobusin janë lënë të lirë , kukanë vazhduar lëvizjen për në shtetin grek", ka pohuar zëdhënësi Mullai. Tashmë do të jetë Prokuroria e Krimeve të Rënda ajo që do të merret me hetimin dhe zbardhjen e plotë të çështjes. Kjo është sasia e dytë e drogës që kapet brenda pak orësh nga policia e Kakavijës. I arrestuari i parë për këtë çështje ishte një shtetas grek me origjinë nga Kazakistani.