E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyri në Greqi pa leje, lirohet nga detyra shefi i komisariatit të Devollit

 

Artan Braholli është liruar nga detyra me vendim të drejtorit të Përgjithshëm, Premçi:

Motivi: Shkelje me dashje të normave të detyrës

Shefat e komisariateve, edhe në rast kur shkojnë me pushime, duhet të marrin miratimin me shkrim nga ministri i dikasterit

DEVOLL- Shefi i komisariatit të Devollit është liruar nga detyra, pasi ka hyrë ilegalisht në Greqi, ndërsa mbante veshur uniformën e policisë së shtetit. Fill pas këtij incidenti, janë dashur 72 orë që Ahmet Premçi të kërkojë lirimin pa kushte të shefit të komisariatit të Devollit, Artan Braholli. Mësohet se ai ka marrë komunikimin e largimit të tij nga detyra, pasi nuk ka kërkuar lejen e ministrit për të hyrë në një territor të huaj, pa autorizim dhe për më tepër pa asnjë lloj dokumenti zyrtar shqiptar, pasaportë apo vizë. Duke iu referuar burimeve nga Drejtoria e Policisë në Korçë, mësohet se ngjarja ka ndodhur gjatë të shtunës së kaluar.

***

Një provë gatishmërie për drejtuesit e komisariateve në të gjithë vendin nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Premçi të ndërmarrë gjatë ditës së shtunë në datën 5 prill, ka çuar në lirimin nga detyra të Artan Brahollit. Sipas të njëjtave burime, Ahmet Premçi ka komunikuar me telefon në mënyrë të drejtpërdrejtë me të gjithë shefat e komisariateve në vend, për të parë se sa të angazhuar kanë qenë ata me punën. I vetmi që ka rezultuar me dy telefonat që ka pasur në përdorim të fikur ka qenë kreu i komisariatit të Devollit, Braholli. Pasi ka kërkuar informacion për ish- shefin në fjalë të thirret në radio në mënyrë urgjente për të komunikuar me vetë Drejtorin e Përgjithshëm, askush nuk ka mundur ta gjejë atë, ndërsa nga vartësit e tij është dhënë informacioni se ai gjendej në vendkalimin kufitar të Kapshticës. Misteri është zbuluar nga agjentët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të cilët kanë mësuar se drejtuesi i lartë ka thyer disiplinën dhe ka shkelur rregullat e shërbimit, duke hyrë në territorin e një shteti të huaj me uniformë policie dhe pa njoftuar krerët më të lartë të Ministrisë së Brendshme.

***

Pas kësaj kanë nisur hetimet, ndërsa informacioni i detajuar ka mbërritur pranë Drejtorit të Përgjithshëm Premçi, madje dhe pranë ministrit Nishani. Pas këtij incidenti, që nga drejtuesit e lartë është cilësuar i rëndë, shefi i komisariatit ka dhënë shpjegime për drejtuesit e drejtorisë së policisë në Korçë. Mësohet nga burime të besuara pranë kësaj drejtorie se vetë i liruari nga detyra, ka rrëfyer para eprorëve të tij se ka hyrë në doganën greke të Kapshticës, duke iu marrë leje dhe autoriteteve të tyre se do të bënte pazar tek Free Shoop-i në anën greke. Sipas tij qëndrimi në tokën fqinjë ka qenë i shkurtër, ndonëse rezulton që ai të ketë hyrë më në thellësi të saj. Sipas një vendimi të veçantë të kësaj ministrie njerëzit me uniformën e policisë së shtetit dhe në rast kur shkojnë me pushime, duhet të marrin miratimin me shkrim nga Drejtori i Përgjithshëm dhe për nivele shefash komisariatesh dhe drejtorë policie këtë miratim e jep vetë ministri i këtij dikasteri.

***

Ky duket se është dhe precedenti i parë i këtij lloji, ndërkohë që çështja duket se do të ketë një hetim të posaçëm të SHKB-së. Gjatë paradites së djeshme ka mbërritur në Drejtorinë e Policisë së Korçës, vendimi i lirimit të menjëhershëm nga detyra për shefin e komisariatit të Devollit, Artan Braholli që ka qëndruar në këtë detyrë për një vit e gjysmë. Në shkresën zyrtare të firmosur nga Ahmet Premçi, thuhet se lirohet nga detyra kryeinspektor Braholli nën motivin e shkeljes me dashje të normave të detyrës, ndërsa pritet dhe emërimi i shefit të ri.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›