E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtësia franceze rinis hetimet mbi transferimin e Lorik Canës

Drejtësia franceze ka rihapur hetimet në lidhje me transferimet e fondeve nga Olimpiku i Marsejës gjatë blerjeve së lojtarëve në sezonet e fundit, ku pretendohet të ketë abuzime. Ajo që i bën edhe më intriguese hetimet është fakti se ato lidhen me lojtarin e Kombëtares shqiptare dhe mesfushori i Olimpikut të Marsejës, Lorik Cana. Transferta e franko-shqiptarit Canë, pohojnë burimet gjyqësore franceze ,është kryer gjatë muajit gusht 2005, kur 22-vjecari i atëhershëm Cana lëvizi nga Paris Sën Zhermeni drejt Olimpikut të Marsejës. Transaksionet financiare kanë të bëjnë me derdhjen e komisonioneve jo reale.
Policia franceze dyshon për një të afërt të lojtarit i cili ka përvetësuar një shumë të rëndësishme parash që ende nuk i dihet destinacioni. Burimet policore kanë saktësuar se një shoqëri ndërmjetësuese e quajtur USM dhe me qendër në Sophia-Antipolis, e cila ka luajtur edhe rolin e agjentit të lojtarit ka përvetësuar 480 mijë euro. Hetimet i janë besuar Divizonit ekonomik dhe financiar të policisë gjyqësore të Marsejës.
Olimpiku i Marsejës po gjykohet edhe në lidhje me transferimin e lojtarit argjentinas Eduardo Tuzzio gjatë verës së vitit 2001. Edhe Ish-lojtari i Kombëtares franceze Frank Lebef është përfshirë në qendër të hetimeve.
Në listën e transferimeve të dyshuara janë dhe ato midis Standardit të Liezhit dhe Olimpikut të Marsejës dhe bëhet fjalë për lojtarët Van Buyten, Runje et Yobo, ku shuma e përgjithshme e transferimeve arrin në 25 milionë euro.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›