E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli, bllokohet ndarja e mandateve, Tirana rikthehet në Kolegj

SHKRUAN: Fejzi Braushi 11-07-2011 10:39

Marrja e detyrës së kryebashkiakut të ri të Tiranës nga Lulëzim Basha do të zgjasë dhe disa ditë, derisa Kolegji Zgjedhor t’i japë zgjidhje çështjes së ndarjes së mandateve të këshillit bashkiak. Kjo pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili do mblidhet sot për këtë vendimmarrje, pritet të mos arrijë kuorumin prej pesë votash për ndarjen e mandateve për këshillin, para së cilit Basha duhet të bëjë betimin si një moment që ligjëron dhe nisjen zyrtare të detyrës së tij të re. Opozita e përfaqësuar në këtë komision pritet të votojnë sot sërish kundër, pasi një gjë të tillë e kanë bërë edhe gjatë votimit të tabelës së rezultateve për Këshillin Bashkiak.

Mbledhja e KQZ

KQZ do të mblidhet sot në orën 18.00 për të marrë në shqyrtim projekt-aktin për ndarjen e mandateve të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Por duket se mbledhja pritet të jetë formale, pasi miratimi i aktit pritet të mos bëhet dot dhe kjo për shkak se Ligji Zgjedhor parashikon që ai të miratohet me pesë vota, pra duket kërkuar dhe konsensusin e opozitës. Një gjë e tillë bëhet e pamundur, pasi opozita e ka shprehur tashmë qëndrimin e saj kundërshtues ndaj rezultatit të zgjedhjeve për gjithë njësinë vendore Bashkia Tiranë, përfshi këtu edhe atë për anëtarë të Këshillit Bashkiak. Për këtë arsye, anëtarët e saj në KQZ pritet që të votojnë kundër këtij projektvendimi, çka do të bëjë të pamundur sigurimin e pesë votave të nevojshme. Të kontaktuar dje nga gazeta, anëtarët e opozitës kanë deklaruar se qëndrimi do të jetë në vijim të qëndrimit, që u mbajt edhe gjatë miratimit të tabelës së rezultateve ku ata votuan kundër. “Përsa kohë ne votuam kundër tabelës së rezultatit, natyrisht që është e logjikshme që të votojmë kundër edhe ndarjes së mandateve, sipas këtyre rezultateve. Megjithatë nuk është se kemi një vendim të marrë për këtë qëndrim”, - u shpreh dje njëri nga anëtarët e KQZ-së, përfaqësues i opozitës. Duke u nisur nga qëndrimi që mbajtën gjatë mbledhjes së zhvilluar gati një javë më parë, socialistët kundërshtojnë tabelat e rezultateve, jo për shkak të rezultatit të dalë, por mënyrës sesi u procedua me votat e dala nga procesi i vlerësimit dhe numërimit të votave të gjetura në kutitë e gabuara, sipas vendimit 709 dhe vendimit 1158 të KQZ-së. Ata kundërshtuan pikërisht mënyrën sesi këto vota ishin paraqitur në tabelën përmbledhëse, duke mos u shpërndarë në tabelat përkatëse të çdo qendre votimi dhe KZAZ-je përkatëse. Pikërisht me këtë logjikë, tre anëtarët e majtë të KQZ-së do të votojnë kundër edhe ndarjes së mandateve të këshillit, që është bërë bazuar pikërisht në këtë tabelë rezultati.

Këshilli në Kolegj

Në pamundësi për të siguruar pesë votat e nevojshme, për të miratuar projekt-vendimin e sotëm për ndarjen e mandateve, çështja e këshillit bashkiak të Tiranës, ashtu siç u veprua edhe me këshillat e minibashkive, pritet të shkojë në Kolegjin Zgjedhor. Kodi Zgjedhor parashikon që në rastet kur KQZ nuk arrin dot të marrë vendim, për shkak të numrit të shumicës së votave të nevojshme, atëherë njëra palë në këtë proces që ka interes që çështja të marrë zgjidhje, mund t’i drejtohet Kolegjit për t’i dhënë zgjidhje situatës. E pala që ka interes që ky proces të përmbyllet sa më shpejt është Partia Demokratike, apo koalicioni “Aleanca për Qytetarin”, i cili menjëherë pas mbledhjes së KQZ-së me zbardhjen e procesverbalit duhet t’i drejtohet Kolegjit Zgjedhor, me kërkesën që të bëjë ndarjen e mandateve sipas përmbajtjes së projekt-aktit të institucionit më të lartë zgjedhor. Në varësi të situatës dhe argumenteve të sjella nga palët, Kolegji duhet të vendosë, ose për shpërndarjen e mandateve sipas llogarive të KQZ-së, ose detyrimin e kësaj të fundit për të rregulluar tabelat sipas pretendimeve të opozitës. Ndaj kjo procedurë pritet të mbajë peng dhe nisjen e punës së Bashës si kryebashkiak, i cili në bazë të ligjit duhet të betohet para këshillit. Sipas llogarive të KQZ-së, “Aleanca për Qytetarin” ka siguruar shumicën në këshill me 28 anëtarë, ndërsa koalicioni “Aleanca për të Ardhmen” do të ketë një anëtar më pak, pra 27.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›