E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtori i MPJ kroate: 2 mijë specialistë "na futën" në BE

Në prag të 1 korrikut, ditës së shumëpritur nga kombi kroat, i cili bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Europian, Hrvoje Marushiç, Drejtor i Përgjithshëm për Çështjet Europiane në Ministrinë Kroate të Marrëdhënieve me Jashtë dhe atyre Europiane, pranon të bëjë ekskluzivisht për "Gazetën Shqiptare" një rezyme të plotë të udhëtimit të vendit të tij drejt portës europiane. Sfidat, mësimet, emocionet dhe eksperiencën e këtij udhëtimi, ai e ndan me shqiptarët lirshëm dhe qartazi. Në fund të këtij udhëtimi që angazhoi rreth 2000 ekspertë negociatorë, Marushiç falënderon Komisionin Europian, në veçanti z.Stefan Fule dhe z.Stefano Sannino për mbështetjen, ndërsa rreshton dy pikat kyçe referuese për suksesin: Të kesh stafin e duhur që punon çdo ditë palodhur dhe sistematikisht, dhe të mos i fshehësh problemet "nën rrogoz", por t'i diskutosh ato hapur mbi tavolinë. Ah po, edhe diçka: "Asnjë parti politike në Kroaci nuk abuzoi apo politizoi çështjet që ishin të rëndësishme për procesin e pranimit".
Ndërsa momenti final - hyrja e Kroacisë në Europë - ka trokitur, si do t'i vlerësonit përpjekjet e përgjithshme të investuara në arritjen e këtij objektivi sfidues?
Na u deshën afërsisht 12 vite që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit dhe pothuajse 6 vite për të përfunduar procesin e negociatave, pasi ne i filluam bisedimet formalisht në tetor të 2005-ës.
U desh gjithashtu edhe një përpjekje e madhe nga ana e administratës publike dhe qeverive gjatë kësaj periudhe kohe. Procesi ishte i gjatë, i vështirë dhe intensiv, dhe shumë herë edhe irritues. Por ia vlejti plotësisht. Ne nuk përmbushëm vetëm kushtet për të hyrë në BE; ne aktualisht ndryshuam Kroacinë, institucionet e saj dhe të gjithë shoqërinë, rrënjësisht dhe në mënyrë të pakthyeshme.
Si arritët ta bënit integrimin një objektiv kombëtar?
Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, arritjes së pavarësisë dhe njohjes ndërkombëtare, hyrja në BE ishte qëllimi i tretë vendimtar për Kroacinë dhe konsensusi lidhur me të ishte pothuajse i plotë. Nuk kishte (dhe ende nuk ka) të përfshirë politikë apo socialë që të ishin kundër këtij objektivi.
Kjo lejoi marrjen e vendimeve të vështira, si dhe zbatimin e reformave të thella dhe shpesh të dhimbshme. Pa një konsensus të tillë, pranimi i Kroacisë do të kishte qenë shumë më i vështirë për t'u arritur, në mos i pamundur. Një konsensus i tillë, të paktën sa u përket pikave lidhur me interesin kombëtar strategjik, është ende i nevojshëm nëse ne duam të promovojmë interesat tona dhe të sigurohemi se ato janë të përfshira në politikat e BE-së.
Cilat ishin sfidat më të mëdha me të cilat u përballët gjatë procesit?
Nga pikëpamja teknike, e vetmja sfidë e vështirë ka qenë gjetja e një skuadre të mirë njerëzish të palodhur dhe sigurimi i një sistemi efikas koordinimi midis MFEA, si institucioni koordinues kombëtar për Bashkimin Europian, dhe ministrive të linjës dhe institucioneve shtetërore. Misioni Kroat në BE ishte vendimtar në sigurimin e komunikimit dhe koordinimit me Komisionin, ndërsa ambasadat tona punuan fort për të krijuar marrëdhënie me secilin nga vendet anëtare të BE-së. Koordinimi dhe krijimi i sinergjisë ishte dhe mbetet sfida më e madhe.
Nga pikëpamja substanciale, kapitulli 23 (sistemi i drejtësisë dhe i të drejtave themelore) ishte kritik për të gjithë procesin dhe i tillë ishte edhe për t'u marrë me të. Gjithashtu, ky kapitull nuk ofronte të njëjtat 'acquis', kështu ne duhet t'i përgatisnim ato nga fillimi. Pra, është logjike se Kapitulli 23 do të jetë një kapitull "standard" në të gjitha bisedimet e ardhshme për pranimin tonë. Kapitulli 8 (Konkurrenca) rezultoi për ne një arrë e fortë për t'u thyer, duke marrë parasysh faktin se brenda kontekstit të tij, neve na u desh të merreshim me çështjen e kantiereve tona, të cilët janë jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin tonë, si nga ana ekonomike, ashtu edhe ajo sociale.
Sfidat ishin të shumta dhe metoda më e mirë rezultoi ajo e "kapjes së demit nga brirët", pra të merresh me të gjitha gjërat më të vështira sa më shpejt të jetë e mundur.
Kush ishin mësimet që nxorët nga ky proces?
Si mësimin më të rëndësishëm do të nënvizoja shprehjen: "Kush ndihmon vetveten, ndihmohet nga të tjerët". Të jesh aktiv në gjetjen dhe propozimin e zgjidhjeve që u përshtaten më mirë shoqërive respektive, është metoda e duhur. Të presësh dikë tjetër të bëjë pjesën tënde, do të çojë patjetër në hapa të gabuar, vonesa dhe nervozizëm.
Në fakt, periudha para hyrjes në BE nuk ka të bëjë me pranimin për të hyrë në BE, por me reformimin e vendit dhe transformimin e tij në një vend ku sigurohet një jetë e mirë për popullin. Sa më shpejt që dikush e kupton se kjo nuk është "një detyrë shtëpie" të cilën profesori ta ka ngarkuar që ta bësh, por një ushtrim për ndërtimin e shtetit në mënyrë që të gjithë të përfitojnë, aq më i lehtë do të jetë procesi i pranimit.
Sa ekspertë u përfshinë në këtë ndërmarrje të fuqishme dhe si i trajnuat ata? Sa e rëndësishme është të kesh ekspertët e duhur në vendin e duhur?
Të kesh njerëzit e duhur në vendin e duhur është absolutisht vendimtare. Mund të kesh qëllimet më të mira, planet e realizuara nga mendjet më të holla dhe manualet më të detajuarat të mundshme, por nëse nuk ke trurin dhe duart që bëjnë një punë të palodhur çdo ditë për një periudhë të gjatë kohore, e gjithë përpjekja shkon dëm.
Është shumë e vështirë të thuash sa ekspertë u angazhuan në këtë proces, sepse e gjithë administrata shtetërore u përfshi në të. Kur bëhet fjalë për negociatat në kuptimin strikt të fjalës, mund të them se rreth 1500-2000 ekspertë morën pjesë në këtë proces. Ky i fundit është shumë teknik, por edhe politik gjithashtu. Pra, ishte një sfidë e madhe të gjeje njerëzit e duhur, sidomos brenda burimeve shumë të kufizuara të administratës publike.
A jua ndërprenë rrugën e nisur mosmarrëveshjet politike? Nëse po, si arriti Kroacia ta kapërcejë këtë pengesë kokëfortë?
Brenda vendit, nuk patëm ndonjë konfrontim të madh politik, të paktën kur bëhej fjalë për gjërat që nevojiteshin të realizoheshin për të përmbushur detyrimet që rridhnin nga Marrëveshja e Pranimit. Asnjë parti politike nuk abuzoi apo politizoi çështjet që ishin të rëndësishme për procesin e pranimit. Një maturitet dhe përgjegjësi politike e tillë ishte vendimtare dhe neve veç na ngelet të përgëzojmë të gjithë udhëheqësit politikë për këtë, edhe nëse nuk ishim në një valë për të gjitha çështjet.
Si arritët të ishin në sintoni me pritshmëritë e qytetarëve në mënyrë që këta të fundit të ishin një mbështetje për procesin?
Konsensusi politik nuk do të kishte qenë i mundur pa një mbështetje të shprehur qartazi nga qytetarët tanë. Në fakt, kjo mbështetje u shpreh qartë në referendumin tonë, ku pothuajse 70% të njerëzve thanë "Po". Kur merr parasysh rrethanat se kur një gjë e tillë u arrit (Greqia ishte në krizë, ashtu si edhe shumë vende të tjera të përfshirë nga kriza ekonomike globale dhe lokale, ndërkohë që kishte edhe mjaft zhgënjim ndaj institucioneve politike, si kombëtarisht ashtu edhe ndërkombëtarisht…), rezultati ishte në fakt fantastik dhe kroatët treguan një nivel të lartë të inteligjencës dhe maturimit të tyre politik.
Do të doja të nënvizoja rolin e medias, e cila është shumë e rëndësishme për suksesin e arritur. Një raportim i papërgjegjshëm vetëm për të shitur sa më shumë kopje gazete dhe për të krijuar sensacione negative, padyshim nuk është në ndihmë të integrimit europian. Prandaj është shumë e rëndësishme të punosh intensivisht, në kohë dhe me insistim me median, sidomos me kryeredaktorët dhe me analistët më me ndikim në publik.
Me anë të çfarë shembulli mund ta ndihmojë Kroacia Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit europian?
Ne kemi një proverb i cili thotë: "Një njeri inteligjent mëson nga gabimet e të tjerëve, ndërsa një budalla mëson nga gabimet e veta." Shqipëria duhet të mësojë nga gabimet tona, por më shumë nga suksesi ynë. Kroacia është qartazi e dhënë për të ndihmuar fqinjët e saj, duke ndarë me ta eksperiencën e fituar gjatë periudhës së parapranimit. Kjo njohuri shumë e vlefshme, dhe në fakt unike do të thosha, është në dispozicionin e Shqipërisë për të forcuar procesin e saj të integrimit drejt BE-së. Ne gjithashtu kemi ngritur Qendrën e Ekselencës, ku kemi mbledhur bashkë shumë ekspertë që morën pjesë në procesin e bisedimeve. Ata organizojnë seminare, tavolina të rrumbullakëta, vizita pune e të tjera; trajnojnë nëpunësit nga vendet fqinje lidhur me të gjitha çështjet europiane, si menaxhimi i kufijve të integruar, sistemi i drejtësisë, standardet e fitosanitary e të tjera. Më shumë se 300 nëpunës nga Bosnja dhe Hercegovina, Serbia dhe Mali i Zi kanë marrë pjesë në këto seminare.
Interesi kyç shtetëror dhe kombëtar i Kroacisë është të ketë një fqinjësi të qëndrueshme, që do të thotë se ne mbështesim proceset e integrimit europian të vendeve të rajonit. Gjithashtu, ne iu kemi shpërndarë të gjithë fqinjëve tanë 'acquis' e përkthyer, dhe kjo mund të jetë një ndihmë e madhe për to.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›