E Diel, 1 Nëntor 2026

Rompuy në Prishtinë: Kosova bëri një hap të madh drejt BE-së

PRISHTINË- Presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy deklaroi se Kosova ka bërë një hap shumë të madh drejt Bashkimit Evropian, duke punuar për të ecur përpara.

Rompuy, gjithashtu tha se që nga vizita e parë e tij në Kosovë, në nëntor të vitit 2008 pas pavarësisë së Kosovës, po ndihet i lumtur që tani sërish e viziton Kosovën në një moment shumë të rëndësishëm.

“Ne vizitën time të parë këtu në Prishtine në nëntor të vitit 2008, kur iu adresova Kuvendit tuaj menjëherë pas shpalljes së pavarësisë në atë kohë isha vetëm kryetar i parlamentit belg dhe tani jam shumë i lumtur që iu vizitoj këtu në një moment shumë të rëndësishëm për vendin tuaj”, - ka thënë Rompuy.

Rompuy, e ka përgëzuar kryeministrin Thaçi, për punën që e ka bërë deri sa është arritur marrëveshja Kosovë - Serbi, dhe tha se tani duhet të sigurohen për zbatimin e saj.

“Tani duhet të sigurohemi se kjo marrëveshje është e zbatueshme”, ka thënë Rompuy. Gjithashtu, ai tha se baronesha Ashton, ka luajtur një rol mjaft të madh për zbatimin e kësaj marrëveshje, e cila sipas tij, mundëson që Kosova të jetë e qëndrueshme ndaj BE-së.

Presidenti i Këshillit Europian, Van Rompuy mbërrin në Prishtinë
Ora 16:52 - Presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuy, mbërriti sot në Prishtinë në vizitën e parë pas hapjes së bisedimeve për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit mes BE-së dhe Kosovës, javën e kaluar.

"Kjo marrëveshje do të mundësojë që Kosova të jetë e qëndrueshme në kuadër të integrimit evropian”, - tha pak më parë Rompuy, pas takimit me kryeministrin kosovar Hashim Thaçi, ndërsa takon edhe presidenten Atifete Jahjaga dhe kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi.

President i Këshillit Europian Rompuy, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës "Adem Jashari", u prit nga zv/kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar.

Rompuy mbërriti në Prishtinë pas festës në Zagreb të hyrjes së Kroacisë në BE dhe pas vizitës sot paradite në Beograd, në kohën kur, siç citohet ai nga media, Bashkimi Evropian është duke bërë hapa historikë në raportet me vendet e Ballkanit.

MSA-ja është marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian që ofron perspektivë të qartë drejt anëtarësimit të plotë.

(er.nu/d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›