E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtori i Portokalli: Më mirë drejtor te Berisha se tek Jozefina

TIRANE-Erdit Asllani, 24-vjeçari aspirant për drejtor, në një guidë se si (s)mund të bëjmë karrierë në politikë dhe jashtë saj.

Në këtë ritëm marramendës të jetës kur koha fluturon, ai është një drejtor i vetëdeklaruar, që ka kohë të flasë aq ngadalë, sa të mos i hyjnë në punë as paratë për t’i harxhuar. Erdit Asllani është aktori 24-vjeçar që ka sjellë në spektaklin “Portokalli” megalomanin e munguar në këtë “show” humori. Pas disa shfaqjeve në teatër, ai shfaqet si një karakter i veçantë, që duket sikur vjen nga regjimi komunist, por që jeton në kapitalizëm. Në këtë intervistë zbulon komunikimin imagjinar si drejtori që do të varej nga; Sali Berisha, Jozefina Topalli, Ilir Meta, Edi Rama.
Si ndodhi që u bëre pjesë e “Portokalli”-së, angazhimet e tua para se të hyje në spektakël cilat ishin?
Pasi mbarova studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në vitin 2011, kam qenë në vazhdimësi i angazhuar me projekte të ndryshme kryesisht në teatër, derisa erdhi momenti qe unë mendova se isha gati për të provuar “Portokalli”-në.
Dhe u shfaqe në sezonin e ri në rolin e një drejtori të vetemëruar. Si lindi ideja për një karakter të tillë?
Ideja lindi duke vrarë mendjen, dhe aq shumë u lodha e vrava mendjen, sa më doli një drejtor dembel (qesh).
Ajo që karakterizon personazhin tënd është qetësia dhe shprehjet individuale. I je referuar ndonjë personazhi real që edhe mund të jetë i njohur?
Jo, nuk i jam referuar një personazhi real, por një fenomeni real. Forma dhe përshtatja si e kam sjellë unë është një zgjedhje e imja për ta plotësuar edhe më mirë si karakter.
Mendon se dominojnë djem të tillë, që kujtojnë se e vetmja punë që dinë të bëjnë është ajo e drejtorit, dhe me fjalë të tjera si do i quaje ata?
Unë mendoj se Shqipëria ka pa fund djem dhe vajza mendjehapur që kanë punuar, sakrifikuar, kanë ndjekur ëndrrat e dëshirat e tyre dhe ia kanë dalë mbanë, dhe me jo pak prej tyre ne të gjithë krenohemi. Por ka jo pak të rinj që, ashtu si përgjumësh, duan të gdhihen drejtorë. Gjithsesi, unë jam përkrahës i këtyre të dytëve… (qesh).
Në botëkuptimin e një personi që sheh si mundësi vetëm postin e drejtorit, realiteti është i bukur apo i shëmtuar?
Atij i duket çdo gjë fushë me lule.
Kemi parë që me Salsano Rrapin ekziston një komunikim, që shkakton të qeshura. Ndodh që të dalësh nga skenari dhe në cilat raste?
Në një format të tillë që ka një ritëm të shpejtë pune, të duhet deri në momentin e fundit të mendosh për skenarin. Por “DREJTORI” aq ngadalë flet, sa ka kohë të mendojë dhe të improvizojë ndonjë gjë edhe gjatë shfaqjes (qesh).
Ku qëndron zgjuarsia e Drejtorit dhe çfarë e bën atë qesharak në sytë e tjerëve?
Këndvështrimi që ka ai për jetën, dhe raporti që krijon ai me personazhet e tjerë, sjellin humor. Në fund të fundit, ai thotë ca të vërteta që të gjithë i mendojnë, por s’i thonë.
Tani, pas shfaqjes sate në “Portokalli”, ka ndryshuar diçka në jetën tënde, kanë filluar të quajnë drejtor dhe në jetë?
Zeroo…Po, Drejtor më thonë (qesh).
Nëse duhet t’i ngjasoje një drejtori në Shqipëri, si cili do dëshiroje të ishe?
Atij që ka rrogën me të lartë.
Ti je drejtor i dashuruar apo jo?
Jo.
Pse, apo dhe të dashurën e kërkon drejtoreshë?
Jo drejtoreshë, se pastaj do zihemi kush do marrë vendime.

Drejtor Erditi në zyrat e politikanëve
Nëse do ishe drejtor në Kryeministri, si do komunikoje me Sali Berishën?
Me e-mail ndoshta…
Në Bashki, si do punoje me Lulzim Bashën?
Ai ka besim te profesionalizmi im, kështu që s’do përpiqej fare të komunikonte me mua, përveçse për zgjedhjet e ardhshme. Gjithashtu mendoj se do komunikoja me anë të sekretares, sepse ai s’do humbë shumë kohë duke më pritur mua 2 orë të them dy fjalë.
Post drejtues në selinë e PS-së, si do komunikoje me Edi Ramën?
Shumë thjesht me Edi Ramën, duke biseduar.
Me Ilir Metën, do i trokisje shpesh në zyrë?
Pse të shkoj unë në zyrën e Ilirit, dhe jo ai në timen. Domethënë, duhet të vijë ai në zyrën time…
Në Kuvend, si do diskutoje me Jozefina Topallin?
Drejtor te Jozefina?! Jo, më mirë te Saliu them unë, te Jozefina s’ma mban!

(d.b/PanoramaPlus/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›