E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bumçi: Rama, i vetmi kryetar opozite që mban peng integrimin e vendit

TIRANË-Ministri i Punëve të Jashtme Aldo Bumçi reagoi sot ndaj deklaratave të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama mbi diplomacinë shqiptare.
Bumci theksoi se Rama është i vetmi kryetar opozite që po mban peng integrimin e vendit. 

"Sot Edi Rama na shfaqi vizionin e tij për politikën e jashtme të vendit. Dhe sot, zoti Rama paraqiti të tjera shpikje nga selia ‘mavi’, sikur ai do të mbështesë anëtarësimin tonë në NATO dhe integrimin në BE. Z. Rama, i vlerësojmë fjalët e bukura, por më bukur flasin veprat. Por, zoti Rama, a e di ti, se ti je i vetmi kryetar opozite i një vendi tashmë anëtar të NATO-s, ku të ankoroi kjo qeveri, që pengon integrimin e vendit në BE?
A di ti, se je i vetmi kryetar opozite, që ka bllokuar dhe bërë lloj-lloj akrobacish për të penguar liberalizimin e vizave për shqiptarët?
A e di ti, se je i vetmi kryetar opozite, që ka anatemuar dhe përbaltur ‘Rrugën e Kombit”?
Dhe sot, vazhdon të jesh i vetmi kryetar opozite që për hir të interesit të ngushtë personal politik, vazhdon të bllokosh e të mbash peng miratimin e 3 ligjeve për marrjen e statusit të vendit kandidat", tha Bumci gjate nje konference per shtyp.

Ministri i Punëve të Jashtme shtoi se kreu i PS paragjykohet dhe në Kosovë prej bojkotit që i ka bërë integrimit të vendit. Sipas Bumcit, pavarësisht kundërshtimeve të Ramës, Shqipëria do të integrohet në BE.

“Sot, Rama na tregoi qartazi se ai ndihet i kompleksuar. Na sqaroi se ai ndihet i paragjykuar në Kosovë.
Ndoshta z. Rama paragjykohet sot në Kosove prej bojkotit, grevës së urisë, protestave të dhunshme dhe agresionin ndaj institucioneve demokratike. Ndoshta, ai paragjykohet për bllokimin që i bën integrimin Europian të vendit. Ndoshta ai paragjykohet sot, pasi del dhe me deklarata për "miqësi të mirë" me Kosovën, ndërkohë që shqiptarët këndej dhe andej kufirit janë vëllezër, shumë më shumë sesa “miqësia e re” që dashka të na ndërtojë z. Rama.
Ne do të realizojmë endrrën e shqiptarëve për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, ashtu siç realizuam anëtarësimin në NATO, dhe liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian.
Meqë zoti Rama zgjedh të kundërshtojë e anatemojë këto angazhime, le të mos ia vëmë atij veshim, por të ecim së bashku përpara”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›