Drejtori i QSUT, biznes me lavazhe në territorin e spitalit
Në këtë start përcëllues vape, ku nxehtësia e temperaturave nga metereologët është përcaktuar si i nxehti Afrikan, të vegjlit e shtruar në pavijonet e pediatrisë vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Përpos kësaj, edhe pacientët e tjerë të spitaleve në QSUT, u duhet të durojnë deri sa tubat të pikojnë ndonjë pikë ujë, e më pas të njomin buzën. Ndërsa pacientë,
e punonjës të pediatrisë, ankohen se uji mungon me orare të zgjatura e në rastet kur vjen është i rrjedhshëm në sasi të pamjaftueshme, pak metra më tutje tre lavazhë duket se nuk e disponojnë këtë problem. Në brendësi të territorit të spitalit, mu në zemër të institucionit më të madh shëndetësor në vend, duket se kanë mbirë papritur ashtu sikur kërpudhat pas shiut, tre lavazhë të cilët kanë filluar punën e tyre, edhe pse kjo është jashtë çdo norme ligjore. Burime konfidenciale nga QSUT, thanë dje për gazetën SOT se këto lavazhë që ende nuk janë përfunduar e në to do të hidhen miliona euro, e kanë marrë tashmë miratimin nga kreu i QSUT, Dashi. Duket se për pronarët e këtyre lavazheve biznesi i sapo ngritur është një mjet tepër fitimprurës, e në këtë rast asgjë nuk i ndalon ata madje as shqetësimi i prindërve të pacientëve të vegjël, të cilët në shumë raste ua kanë thënë hapur se përpos mungesës së ilaçeve e kostos për to, tashmë për të qëndruar në spital, duhet të blejnë edhe ujin e pijshëm, vetëm se uji përdoret jo për nevojat e spitalit, por për larjen e makinave, e për përfitimet e drejtuesve të lavazheve. Edhe pse ky problem, ka mbërritur tashmë, në dyert e drejtorisë së QSUT-së, asnjë masë nuk është ndërmarrë për situatën e rënduar. Me sa duket, drejtori i QSUT- së Dashi, nuk shqetësohet aspak për të vegjlit e pavijoneve në pediatri të cilët prej javësh thahen për pikën e ujit. Në lidhje me problemin e mungesës së ujit, që përdoret për nevoja të tjera të përditshme, të cilin shpesh herë prindërit e blejnë me paratë e tyre është një prej shqetësimeve të mëdha. Vetë punonjësit e pediatrisë kryesisht pastrueset kanë deklaruar se mungesa e ujit, apo edhe sasia në sasi të pamjaftueshme që rrjedh prej tubave të çezmave në pavijonet e pediatrisë, është kthyer tashmë në një makth për të afërmit e pacientëve të vegjël. Ndërkohë burimet nga QSUT, kanë theksuar faktin se prej disa javësh lavazhot të cilat kanë nisur punën e tyre furnizohen me ujë nga tubacionet e pediatrisë e për këtë shkak, në shumicën e rasteve uji në pavijonet e këtij spitali ose mungon për orë të tëra, ose është i rrjedhshëm, në sasi të pamjaftueshme.
Ankesat
Nga vëzhgimet e kryera nga gazeta ditën e djeshme është vënë re, një gjendje e tensionuar jo vetëm tek prindërit e pacientëve të vegjël, por edhe të vetë stafit mjekësor. Liljana, një prej pastrueseve në pediatri, tha për gazetën, se ka disa javë që uji në pediatri vjen me orare tepër të shkurtra aq sa është kthyer në një problem të madh jo vetëm për punonjëset, por në radhë të parë nga fëmijët e vegjël, të cilët përveç vapës e mungesës së theksuar të kushteve duhet të durojnë edhe mungesën e ujit. Ka raste kur gjendemi në situata tepër të vështira, pasi këtu ka edhe prindër që qëndrojnë me fëmijët e tyre për një kohë të gjatë në pavijon e u duhet të harxhojnë tepër para me ilaçet, ka raste kur nuk e përballojnë dot ta blejnë ujin e pijshëm, kjo gjë është mëse e dhimbshme, duhet të merren nga drejtoria menjëherë masat tha për gazetën një prej pastruesve të pediatrisë.
Precedenti
Të pyetur ditën e djeshme, burime nga Ministria e Shëndetësisë thanë për gazetën se nuk është në përgjegjësinë e tyre, dhënia apo ndalimi i lejeve për subjektet të cilat kryejnë shërbime biznesi brenda territorit të spitalit. Sipas këtyre burimeve, kjo përgjegjësi është vetëm e drejtorisë së QSUT-së e cila në të njëjtën kohë është edhe kontrollore e subjekteve të paliçensuara të cilat ndodhen në hapësirat e brendshme të spitalit. Edhe në këtë rast institucionet shëndetësore, përkatësisht Ministria e Shëndetësisë e cila është institucioni i cili ka në varësi të gjitha spitalet në vend duke përfshirë edhe QSUT-në ka dashur ta faturojë përgjegjësinë e lejimit të funksionit të paligjshëm të tre lavazheve të cilat me pa të drejtë furnizohen me ujin e spitalit të pediatrisë.
Arta AGOLLI
Last Updated on E Hene, 14 Qershor 2010 21:42