E Diel, 1 Nëntor 2026

Albpetrol shlyen 8.1 milion dollarë detyrime ndaj buxhetit të shtetit

Albpetrol shlyen 8.1 milion dollarë detyrime ndaj buxhetit të shtetit në katër muaj. Burime zyrtare pranë Ministrisë se Ekonomisë bënë të ditur se kompania shtetërore e prodhimit të naftës, Albpetrol, ka prodhuar 50.328 ton naftë në katër muajt e parë të vitit 2010,

nga 45.905 ton të programuar. E thënë në përqindje, prodhimi i naftës nga Albpetrol për këtë periudhë është 109.64 për qind. Kjo bëhet e ditur në një informacion që Albpetrol i ka dërguar së fundmi Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, mbi aktivitetin e kompanisë në katër muajt e parë të vitit 2010, mbështetur në programet e miratuara nga Drejtoria dhe Këshilli Mbikqyrës. Sipas këtij informacioni që mban firmën e drejtorit të Përgjithshëm të Albpetrol, z. Ferdinand Murati, prodhimi total i naftës, përfshirë edhe atë që Albpetrol sh.a përfiton nga Marrëveshjet Hidrokarbure, është realizuar 78.285 ton nga 76.557 ton të programuar, ose 102.26 për qind. Mbështetur në treguesit operativë nga përllogaritjet rezulton se Albpetrol ka realizuar shpenzime në masën 23.15 milion dollarë dhe të ardhura në masën 26.23 milion dollarë, duke realizuar një fitim prej 2.08 milion dollarë. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe Albpetrol sh.a ka likuiduar detyrime ndaj buxhetit të shtetit në masën 8.1 milion dollarë në ndryshim nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar, në të cilën nuk ishte likuiduar asnjë detyrim ndaj buxhetit të shtetit, dhe njëkohësisht duke likuiduar edhe detyrime të vitit 2009. Përsa i përket marrëdhënieve të Albpetrol me kompanitë e huaja, në informacionin dërguar Ministrisë së Ekonomisë thuhet se Albpetrol sh.a mbështetur në marrëveshjet Hidrokarbure të nënshkruara është partner në këto marrëveshje sipas vendburimeve respektive me kompanitë Bankers Petroleum Ltd dhe Stream oil & Gas Ltd, me të cilat ka një partneritet të mirë dhe në përputhje me marrëveshjet e miratuara nga qeveria shqiptare.

Last Updated on E Hene, 14 Qershor 2010 21:21

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›