E Diel, 1 Nëntor 2026

Bode: Investimet në arsim do të vazhdojnë, pretendimet e opozitës janë aludime

Ministri i Financave hedh poshtë pretendimet e opozitës për krizë ekonomike

Ministrit i Financave Ridvan Bode ka deklaruar dje se investimet e qeverisë në përmirësimin e sistemit arsimor në vend vazhdojnë me ritme të shpejta, duke hedhur poshtë të gjitha aludimet që Partia Socialiste ka ngritur gjatë fushatës elektorale si dhe në muajt e fundit.

Këtë qëndrim Bode e mbajti në inaugurimin e rikonstruksionit të tre shkollave në Rrethin e Devollit, ku ishte i shoqëruar nga  dhe nga Ministri i Arsimit Myqerem Tafaj. Gjatë fjalës së tij, Bode ka ftuar kryesocialistin Edi Rama të vijë e shikojë nga afër shkollën për të kuptuar sesi bëhen investimet. Vlera e investimit të bërë në shkollën e Babanit, Rakiçkës dhe të Trestenikës, kapin vlerën e 20 milionë lekësh të reja. Punimet për rikonstruksionin e tyre janë kryer në një afat prej 8 muajsh. Investimet e qeverisë në përmirësimin e sistemit arsimor në vend vazhdojnë me ritme të shpejta dhe në masë të gjerë. Opozita të lërë podiumet dhe të vijë e të shikojë shkollat e reja që po ndërtohen, ka theksuar Bode. Krahas Berishës dhe Fullanit, edhe ministri Bote ka qenë njeriu më i sulmuar nga opozita se po e çon vendin drejt një qorrsokaku ekonomik. Investime në bujqësi dhe infrastrukturë. Ministri i Financave Bode theksoi gjithashtu se përveç investimeve në arsim, qeveria do të përshpejtojë investimet në sektorin e bujqësisë dhe atë infrastrukturës. Do të vijojmë me politikat për investimet në infrastrukturën rurale përmes grandeve konkurruese në infrastrukturën rrugore, në ujësjellës, shkolla, duke ruajtur një nivel të lartë investimesh të tilla dhe do të fillojë një program i ri, që ka të bëjë me përmirësimin e furnizimit me ujë të të gjithë pjesëve të territorit të vendit dhe veçanërisht të pjesës Tiranë-Durrës dhe Ultësirës Bregdetare, që do të mbështeten nga një program i madh dhe i përqendruar investimesh dhe po punohet për ndërtimin e strategjisë për fillimin që më 2010-n të këtij projekti madhor për vendin, u shpreh Bode. Ministri Bode tha se së shpejti do realizohet përfundimi i rrugëve në drejtim të Vlorës dhe Tepelenës, pra 2 akset FierVlorë dhe LevanTepelenë. Do të fillojë lidhja midis Tiranës dhe Elbasanit për rritjen e përshkueshmërisë në Shqipërinë Qendrore dhe do të ketë investime të tjera, kryesisht të përqendruara në Tiranë, për të filluar unazën e Tiranës dhe për të vijuar në përqendrimet e mëdha të investimeve, të cilat janë me impakt jo vetëm shoqëror, por dhe ekonomik dhe që do të mundësojnë modernizimin e mëtejshëm të vendit nga pikëpamja infrastrukturore dhe që do të krijojnë mundësi për një zhvillim më të shpejtë në territore të caktuara të vendit, ka theksuar Bode.


Rama kundër Bodes për borxhin e ri
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka reaguar ashpër kundër politikës ekonomike të qeverisë për marrjen e një huaje të brendshme për muajin qershor. Rama ka theksuar se huaja prej 300 milionë eurosh do të jetë një zhvillim potencialisht i rrezikshëm për ekonominë shqiptare si dhe do ketë pasoja të pallogaritshme për kreditimin e sipërmarrjes private. Nuk mund të le pa prekur sot përsëri rëndimin serioz të ekonomisë në kushtet kur qeveria e ka arkën bosh dhe tentativa e eurobondit duket e dështuar. Jemi seriozisht të shqetësuar me informacionet e fundit lidhur me përgatitjen e një manovre huaje të brendshme nga bankat tregtare. E cila parashihet të kapë shifrën e frikshme 300 milionë dollarë për muajin qershor, me interesa kërcënuese për qëndrueshmërinë e ekonomisë dhe pasoja të pallogaritshme për kreditimin e sipërmarrjes private, ka deklaruara Rama. Ai u ka bërë apel Berishës, Bodes dhe Fullanit të mos luajnë me zjarrin e ekonomisë shqiptare.Rama kërkoi me urgjentisht transparencë të plotë lidhur me këtë proces tepër të rrezikshëm. Ndërkohë që kërkojmë me ngulm transparencë të plotë lidhur me këtë zhvillim potencialisht të rrezikshëm për ekonominë shqiptare, i bëj edhe njëherë thirrje Saliut, Ridvanit dhe Fullanit të mos luajnë me zjarrin e qëndrueshmërisë ekonomike e financiare të këtij vendi. Dhe të mos mendojnë vetëm për të nxjerrë kalin e qeverisë matanë lumit të këtij viti, sepse Shqipëria do të jetë këtu edhe kur të iki qeveria dhe shqiptarët nuk meritojnë ti paguajnë një tjetër haraç të rëndë politikës së verbër ekonomike e financiare të Sali Berishës, theksoi Rama.

Last Updated on E Marte, 15 Qershor 2010 10:30

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›