Drejtori i Teatrit te Komedise shpallet me 28 shkurt
TIRANE-Shtyhet për të dytën herë përzgjedhja e emrit që do të drejtoje Teatrin Kombëtar të Komedisë. Në garë për këtë vend janë dy kandidatura. Ndonëse pritej që emri të mësohej të hënën që shkoi, shpallja e tij u shty për të mërkurën sepse kishte vetëm dy kandidatura. E mërkura kaloi, dhe mësohet se emri do ta shpallet të hënën më 28 shkurt, plot një javë nga data e parë kur pritej të mësohej se kush do ta drejtonte teatrin më të ri. Në këtë institucion do të punojnë rreth 22 persona, ku përfshihen dhe artistët e stafi. Fondi për aktivitetet artistike të këtij teatri, do të jepet nga buxheti i ministrisë së Kulturës në varësi të projekteve që do të paraqiten. Teatri i Komedisë, sipas drejtorit të politikave Nikolla Lena, është konceptuar, si një trupë lëvizëse, ku kryesisht përgjatë muajve të verës të japë shfaqje në qytete të ndryshme kryesisht në ato turistike. Godina e përcaktuar për Teatrin e Komedisë do të jetë salla e vogël e Teatrit Kombëtarë. Mimoza Sofroni, drejtoreshë për Artin dhe Kulturën në MTKRS, e pyetur se pse kaq pak kandidatura për një post aq të lakmuar që pritet ta kthejë artin komik mes nesh, ajo thotë se kjo mbase ka të bëjë me faktin se nuk e marrin dot përsipër. E nëse flasim për një model, Sofroni thotë se do të ishte më mirë një njeri që di të menaxhojë se sa një artist. "Teatri do një menaxhues i mirë. Artisti shihet në skenë dhe aty e tregon talentin e jo në drejtim".
(d.b/GSH/BalkanWeb)
(d.b/GSH/BalkanWeb)