E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo-Skënderbeu teatri i radhës në "Qemal Stafa"?

TIRANE-Dinamo dhe Skënderbeu do të përballen sot në atë që fare mirë mund të ishte një prej ndeshjeve më të forta të kampionatit. Mund të ishte, sepse në realitet, gjithçka për këtë sfidë është e paragjykuar. Ashtu si në fazën e parë në Korçë, dinamovitët pritet të tolerojnë përballë një kundërshtari që duket i fortë brenda dhe jashtë fushe. Për më tepër, justifikimi këtë herë është më i besueshëm, pasi Dinamo është dobësuar në merkaton e dimrit, ndërkohë që Skënderbeu është forcuar. Zërat se takimi i sotëm do të jetë një teatër janë shtuar shumë dje në mbrëmje, ndërsa kjo ndeshje nuk do të jetë e kuotuar as në skedinat e basteve, ashtu si në fazën e parë, kur u hoq brenda pak orësh. Skënderbeu do të vijë në kryeqytet me synimin e vetëm për të kërkuar fitoren dhe kjo e fundit, ndërsa përballë do të ketë një skuadër që në mënyrë më shumë se hipokrite, është duke menduar për ndeshjen e kthimit në Kupën e Shqipërisë. Thënë ndryshe, shanset që ndeshja të fitohet nga Dinamo, janë praktikisht të barabarta me zero, ndërsa në stadium pritet të jetë estrada e radhës e futbollit shqiptar. "Do të bëjmë tonën", tha me gjysmë zëri ditën e djeshme Mërgjyshi, ai që drejton aktualisht Dinamon. Ndërkohë, edhe në Vlorë janë të bindur se ndeshja mes Dinamos dhe Skënderbeut do të jetë sërish një estradë, ashtu si në fazën e parë, kur korçarët fituan 3-2.
Duro
Pavarësisht zërave për tolerim të Dinamos, trajneri i Skënderbeut Shpëtim Duro duket se po mendon vetëm për të fituar në fushë. Fitorja me Flamurtarin ka sjellë jo pak optimizëm në kampin korçar, ndërkohë që në fushë pritet të jetë një skuadër më e plotë, pas rikthimit të Joliç si titullar. "Pas ndeshjes me Flamutarin situata është shumë optimiste dhe kjo më gëzon, ndërsa të gjithë janë të impenjuar për një tjetër arritje pozitive, - deklaroi trajneri Shpëtim Duro. - Ne do të përpiqemi që në këtë takim të bëjmë një lojë të mirë që do të shoqërohet dhe më nje rezultat të mirë. Natyrisht që kundërshtarin e kemi vlerësuar pavarësisht probleme që ai ka, por mbetet ekipi kampion, ndaj dhe duhet të tregohemi të kujdesshëm". Më tej, ai u mundua t'i shpërfillë deklaratat e ardhura nga kampi vlonjat se ndeshja me Dinamon do të jetë si një miqësore për Skënderbeun. "Unë jam trajner dhe bëj detyrën time dhe nuk më takon aspak të merrem me atë se çfarë thonë apo komentojnë kundërshtarët", deklaroi Shpëtim Duro. Madje, tekniku ka deklaruar se më shumë se akuzat e ardhura nga kampi vlonjat, e shqetësojnë mungesat e shumta. "Edhe në këtë takim do të kemi katër mungesa të rëndësishme. Përsa i përket formacionit ai do të jetë i ekulibruar për një lojë sa sulmuese aq dhe mbrojtëse", pohon Duro.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›