E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtori i burgut të Lezhës në Pranga, merrte miliona lekë ryshfet

VALENTIN MIRINë këmbim të lejeve të shumta që u jepte të burgosurve, merrte si ryshfet nga të afërmit e të dënuarve miliona lekë. Më këtë akuzë SHKB ka arrestuar dje drejtorin e burgut të Lezhës Valentin Miri. Ky person u arrestua dje pas një hetimi që ka zgjatur 3 muaj. Ministria e Drejtësisë bëri të ditur dje se SHKB pas një hetim intensiv 3 mujor në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Tiranës, njësia Task-Forcë dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shteti dhe njësive të specializuara të saj, bëri të mundur arrestimin Drejtorit të IEVP Lezhë Valentin Miri. SHKB, pas mbledhjen së një sërë provash materiale ka provuar se drejtori i burgut Valentin Miri ka konsumuar veprat penale të korrupsionit pasiv të personave, që ushtrojnë funksione publike dhe shpërdorimit të detyrës. Gjatë kontrollit të banesës së drejtorit Valentin Miri u gjet një shumë e konsiderueshme vlerash monetare, thuhej në deklaratën për shtyp lëshuar ditën e djeshme nga Ministria e Drejtësisë. Mësohet se Miri shfrytëzonte pozicionin e tij si drejtor i burgut të Lezhës, për të favorizuar të dënuarit kundrejt shumave të parave. Dyshohet se ai u jepte leje disa ditore të burgosurve të ndryshëm për sjellje të mirë, kundrejt një shume parash. Gjithashtu dyshohet se Miri u kryente edhe favore të tjera të dënuarve si futjen e sendeve personale të cilat nuk lejohen në qeli, kundrejt parave. Informacionet për abuzimet me detyrën nga ana e Mirit, janë denoncuar nga punonjës të tjerë të burgut drejt punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të cilët kanë nisur menjëherë hetimet. Burime nga SHKB kanë deklaruar për mediat se hetimet zgjatën rreth tre muaj, ndërsa drejtori i burgut u mbajt në vëzhgim, derisa ditën e djeshme ai është kapur në flagrancë. Ditën e djeshme ai u arrestua vetëm pak orë pasi kishte mbaruar punën. Gjatë një kontrolli të ushtruar në banesën e tij, u gjet dhe u sekuestrua një sasi parash, e cila dyshohet se janë përfituar nga shpërdorimi i detyrës. Valentin Miri prej 12 vitesh ka drejtuar disa burgje në vend. Ndërkohë që ai është pezulluar tre herë nga detyra për motive të ndryshme. I arrestuari ka qenë edhe më parë drejtor në burgun e Lezhës, po u largua prej andej pasi një i dënuar nuk u rikthye në qeli. Të dënuarit i kishte dhënë leje, por ai e kishte shfrytëzuar atë për tu arratisur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›