E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk donte të ulej në sedilje, ther fatorinon dhe shoferin

AUTOBUZI I UNAZESPolicia ndalon 16 vjeçarin, ishte precedent problematik
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm rreth orës 9:10 minuta në një nga autobusët e linjës së Unazës në kryeqytet. Dhjetëra udhëtarë që ishin brenda në autobus janë tronditur nga pamjet që kanë parë por nuk kanë parandaluar dot, plagosjen e fatorinos dhe shoferit të autobusit nga një minoren i cili mendohet se ka qenë në efektin e drogës, por ende për këtë policia nuk ka dhënë një pistë konkrete. Sipas të dhënave nga policia e kryeqytetit, një adoleshent 16 vjeçar pas një sherri banal, ka plagosur me thikë fatorinon dhe shoferin e autobusit të unazës në afërsi të farmacisë nr 10. Burime nga komisariati 4 i Policisë kanë sqaruar për mediat se ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm, në autobusin e unazës që ishte lëvizje në kohem që ndodhi plagosja e dy personave.
Plagosja
Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti mes adoleshentit dhe fatorinos, kur ky i fundit ka kërkuar të ulet në vendin e duhur, dhe të mos qëndronte në pozicionin ku pengonte kalimin e personave të tjerë. Në moment i mituri i është kthyer fatorinos duke e ofenduar rëndë, se për tu ulur do ulej atje ku donte ai nuk pyeste as babain e tij e jo fatorinon. Shoferi i urbanit ka ndërhyrë për të shmangur përplasjen, por sipas të dhënave e ka ofenduar edhe ai të miturin që menjëherë i nxehur ka nxjerrë një thikë nga xhepi dhe fillimisht ka qëlluar fatorinon që i përgjakur ka rënë pa ndjenja në tapicerinë e autobusit duke krijuar panik tek personat që ishin në brendësi të autobusit. Pas kësaj, shoferi i autobusit ka frenuar me shpejtësi dhe i është afruar me shpejtësi 16 vjeçarit për ta ndaluar atë që të mos e gjuante më fatorinon por i frikësuar minoreni e ka gjuajtur dhe shoferin e autobusit duke e gjakosur edhe atë.
Motivet
Unë do ulem ku të dua dhe stë pyes as ty dhe as ndonjë person tjetër, madje nuk pyes as tim atë për asnjë gjë, ti një copë fatorino je, kështu mendohet ti ketë thënë i mituri fatorinos, e më pas 16 vjeçari është nxehur e në këtë moment në gjaknxehtësie ka ndodhur dhe konfrontimit fizik ku 16 vjeçari ka nxjerr thikën dhe si pasojë kanë mbetur të plagosur fatorino dhe shoferi i urbanit. Dy të plagosurit janë dërguar në spital dhe kanë marrë mjekimet e nevojshme për plagët e lehta e marra gjatë incidentit. Më pas policia ka vënë në pranga 16 vjeçarin duke marrë edhe disa persona që udhëtonin me autobusin urban për dëshmitarë. Sipas të dhënave nga policia, minoreni është ndaluar edhe herë të tjera, nga policia dhe njihej si kontigjent problematik, nuk shkonte në shkollë dhe disa herë ishte vënë në pranga për vjedhje e për kanosje me dhunë në rrugë të disa qytetarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›