I moshuari gjendet i therur në xhami, dyshohet ekzekutim
Ende mister motivet dhe autori i krimit ndaj besimtarit
Lushnjë/Gjendet i therur në xhaminë e fshatit Dushk në qytetin e Lushnjës i moshuari besimtar, ndërsa janë ende mister motivet dhe autori i krimit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme, brenda ambienteve të objektit të kultit në këtë fshat. Besimtarët e tjera kanë gjetur të parët trupin e përgjakur të 75-vjeçarit Shemsi Muça, banues në Dushk dhe njoftuan menjëherë policinë. Uniformat blu të komisariatit të Lushnjës shkuan në vendngjarje bashkë me ekspertë dhe prokurorë duke nisur hetimet, pasi dyshuan edhe për një akt me motive terroriste. Ekspertët konstatuan se i moshuari kishte një plagë të madhe në fyt që i kishte shkaktuar hemorragjinë dhe më pas vdekjen. Menjëherë u shoqëruan si dëshmitarë drejtues të kësaj xhamie dhe banorë të fshatit, apo personat që e gjetën të parët.
Dyshimet
Burime zyrtare të policisë së Fierit konfirmuan se paraprakisht dyshohet për një vrasje pas një konflikti të ndodhur në ambientet e xhamisë. Por gjithashtu po hetohet edhe një flijim i mundshëm. Nga dëshmitë e para është mësuar se viktima Shemsi Muça ishte besimtar i rregullt, falej çdo ditë në xhami dhe nuk kishte probleme apo konflikte të ndryshme. Por pasditen e djeshme sipas dëshmive të para, janë dëgjuar të bërtitura dhe një grindje. Grupi hetimor beson se 75-vjeçari ka shkuar pasditen e djeshme në xhami për tu falur, meqenëse ishte edhe ditë e premte. Por aty mund të ketë gjetur ndonjë person të dyshimtë që po plaçkiste dhe ka nisur ti kërkojë llogari. Agresori në përleshje e sipër binte në prangat e policisë më pas.
Ngjarja
Mendohet se viktima e ka njohur autorin dhe kjo mund të ketë shërbyer edhe si nxitje për ta vrarë Muçën, me qëllim që të mos tregonte. Grupi hetimor beson se mund të jetë një vrasje në vjedhje të xhamisë, kryesisht të hollave që hidhen në arkë nga besimtarët, sidomos në fundjavë. Gjithashtu do mblidhen edhe dëshmitë e familjarëve të viktimës, për të mësuar nëse ka pasur konflikte kohët e fundit që mund të çonin në hakmarrje. Gjatë këqyrjes në trup janë vërejtur shenja të vogla që mund të jenë edhe nga një përleshje,por ekspertët do përcaktojnë më saktë nëse janë shkaktuar nga autori. Burime të policisë thanë se hetojnë në pistën e vrasjes në plaçkitje të xhamisë, në një konflikt me motive të dobëta apo dhe flijimin në objektin e kultit nga i moshuari.