Drejtori i ri i Bankës Europiane: Shqipëria është absolutisht vendi që është transformuar më shumë në të gjithë rajonin.
Menaxheri i përgjithshëm i Bankës Europiane për Europën Qendrore dhe Jug-lindore, Peter Reiniger shprehu interesin për më shumë investime në Shqipëri.
Zoti Reiniger prezantoi sot drejtorin e ri të Bankës Europiane për Shqipërinë, zotin Fabio Serra, në një takim me Kryetaren e Kuvendit, ku mori pjesë edhe Kryetari i Komisionit të ekonomisë, Edmond Spaho.
Duke vlerësuar klimën e favorshme ekonomike në Shqipëri, zoti Reiniger tha se: Parlamenti ka patur një rol shumë të rëndësishëm në shqyrtimin dhe miratimin e një kuadri shumë të mirë ligjor në ndihmë të biznesit.
Nga ana e tij drejtori i ri, zoti Serra, i cili vjen pas 10 vitesh në Shqipëri, tha se: Transformimet janë aq të mëdha sa nuk do ta njihja vendin tuaj. Është absolutisht vendi që është transformuar më shumë në të gjithë rajonin.
Kryetarja e Kuvendit falenderoi për bashkëpunimin e deritanishëm duke shtuar se, Parlamenti është shumë i interesuar për të intensifikuar dialogun dhe bashkëpunimin me Bankën Europiane.
Ajo tha se: Projektet me Bankën Europiane kanë qenë shumë të sukseshme. Investimet po shtohen me ritëm të lartë nga viti në vit. Shqipëria vijon të ketë rritje ekonomike, kemi reformuar thuajse tërësisht sistemin fiskal dhe proceduat për biznesin, jo vetëm janë lehtësuar, por po shkojnë drejt aplikimit tërësisht online.
Duke u ndalur në ligjet më të fundit që po shqyrtohen në parlament, Kryetarja e Kuvendit veçoi atë për krijimin e Agjensisë për Investimet e Huaja, një insitucion i ri që do të ketë një impakt direkt në sigurinë e investimeve të huaja në Shqipëri.
Duke përgëzur zotin Serra për detyrën e re, Kryetarja e Kuvendit bisedoi mbi vijimin e projekteve konkrete në infrasturkurë. energji, por edhe turizëm.