E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja URDHRAT për sekuestrimin e ARMO-s dhe pasurive të Credins e Taçit

Vetëm pak ditë pasi është marrë vendimi për sekuestron konservative ndaj aksioneve të Rezart Taçit në kompaninë ARMO si dhe ndaj të gjitha pasurive të kompanisë ARMO dhe bankës Credins, përmbaruesit kanë urdhëruar hipotekat dhe Qendrën Kombëtare të Regjistrimit për të vendosur masën e sekuestros.

Dy vendimet janë marrë ditën e enjte nga shoqëria përmbarimore private Strati Bailiffs Service.

Urdhri i parë

Ky urdhër i drejtohet Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Shqipëri dhe për dijeni bankës Credins, shoqërisë ARMO dhe Bankës Ndërkombëtare të Azerbajxhanit.

Në urdhër theksohet vendimi i gjykatës për:

Vendosjen e sekuestros konservative pranë ZRPP Tiranë dhe zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme në rrethe për pasuritë e paluajtshme të shoqërisë Credins, duke mos lejuar tjetërsimin e tyre deri në përfundim të gjykimit.

Vendosjen e sekuestros konservative mbi 85 përqind të aksioneve të shoqërisë ARMO, të zotëruara ngas shoqëria AMRA Oil, në vlerën e tyre nominale 5.126.561 lekë.

Vendosjen e sekuestros konservative mbi llogaritë bankare të shoqërisë AMRA Oil.

Vendosjen e sekuestros konservative mbi llogaritë bankare të shoqërisë ARMO.

Vendosjen e sekuestros konservative mbi pasuritë e paluajtshme të shoqërisë ARMO dhe vendosjen konservative mbi gjendjen e stokut të kësaj shoqërie deri në përfundim të gjykimit.

Në urdhrin e përmbaruesve thuhet se sipas vendimit të gjykatës, sekuestroja vendoset për një shumë jo më të madhe se 75 milion euro.

Më pas urdhërohen hipotekat për masën e sekuestros.

Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të ekzekutojnë vendimin nr. 468, akti datë 03.08.2012, përsa i takon pjesës së sigurimit të padisë duke vendosur masën e sekuestros konservative dhe duke mos lejuar tjetërsimin për pasuritë e paluajtshme të regjistruara në emër të palës debitore:

Shoqëria Banka Credins SHA, me përfaqësues ligjore znj. Monika Milo

Shoqëria ARMO, me përfaqësues ligjor z. Rezart Taçi.

Urdhri i dytë

Urdhri i dytë është për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit dhe për Qendrën e Regjistrimit të Aksioneve.

Edhe në këtë rast citohet vendimi i gjykatës i ditës së premte.

Më pas urdhërohet vendosja e masës sekuestro ndaj 85 përqind të aksioneve që ka Taçi në kompaninë ARMO.

Qendra Kombëtare e Regjistrimit dhe Qendra e Regjistrimit të Aksioneve të ekzekutojnë vendimin nr.468, datë 03.08.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke vendosur masën e sekuestros konservative mbi 85 përqind të aksioneve të shoqërisë:

ARMO me përfaqësues ligjor z.Rezart Taçi, të zotëruara nga shoqëria Anika Mërkuria Refinery Associated Oil, me përfaqësuese ligjore znj. Anika Taçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›