Dekreti i Nishanit për Shaqirin, Rama: Turp, rrënoi pavarësinë e SHISH
Kreu i PS, Edi Rama ka reaguar pas dekretimit nga ana e Presidentit të Republikës, të shkarkimit të Bahri Shaqirit dhe emërimin në postin e kreut të SHISH të Visho Likës. Përmes rrjetit social Twitter, Rama e cilëson këtë dekret një turp, që sipas tij rrënoi pavarësinë e këtij institucioni.
“Per llogari te KM, Presidenti zevendesoi Drejtorin e Sherbimit Sekret me nje sherbetor te Saliut njesoj sic eshte dhe vete.Cfare turpi!Turp sepse rrenoi pavaresine e SHISH;sepse e beri kete pa u konsultuar me aleatin me te madh strategjik te Shqiperise;sepse ktheu kohen pas!Ky vendim i Presidentit eshte akti me ekzemplar i varesise se tij nga KM e do te sjelle pasoja negative per jeten politike e institucionale” shkruan Rama.
Ndërkaq edhe Fryma e Re Demokratike shprehu shqetësim për dekretimin e kreut të ri të SHISH-it nga Presidenti i Republikës, duke e cilësuar vendimin si përpjekje të kryeministrit Berisha për të vënë nën kontrollin e tij të gjitha institucionet.
“Berisha po uzurpon te gjitha institucionet kushtetuese. Shqipëria po i largohet BE-se dhe standardeve të NATO-s. Shqipëria po shkon drejt modelit Lukashenko.”- bëri të ditur Fryma e Re Demokratike.
Ndërsa për Aleancën Kuq e Zi me emërimin e Visho Likës në krye të SHISH, Berisha përfundimisht pushtoi çdo institucion.
“Në Shqipëri nuk ka institucione, por sesione të PD. Sali Berisha përfundimisht pushtoi cdo institucion. Tashmë SHISH është në shërbim të partisë.U bëjmë apel qytetarëve të kenë kujdes se përgjohen nga PD” deklaron AK.
Presidenti Bujar Nishani ka dekretuar sot me propozim nga kryeministri Sali Berisha lirimin nga detyra të Drejtorit të SHISH-it, Bahri Shaqiri. Me propozim të kryeministrit në këtë post u emërua Visho Lika.