E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtori teknik, koncepti i munguar ne ShqiperiKoncepti i drejtorit teknik, mungesa e tij dhe përzgjedhja empirike e trajnerit në futbollin shqiptar

Bledar Kuka- Oto Bariç fillimisht ka qenë një futbollist, ndonëse jo me shumë fat. Më pas, sipas rrjedhës llogjike të gjërave, ai i hyri profesionit të trajnerit ku pati jo pak suksese, madje duhet thënë fjala shumë. Me kalimin e viteve, ai “mori patentën” edhe për të punuar si drejtor teknik, gjë që do të thotë se mund të zgjidhte se çfarë donte të ishte. Kur energjitë nuk i pati më aq të bollshme sa për të punuar çdo ditë në fushë me djem të rinj apo pak më të pjekur, Herr Oto manovroi mes posteve të trajnerit të përfaqësueses dhe të drejtorit teknik.

Kjo është një formulë e vjetër, për të cilën e lodhë kokën brezat e mëparshëm të vendeve perëndimore, europianoqendrore apo amerikanojugore. Për brezin e sotëm shqiptar është një produkt i gatshëm, njëlloj si formulat e algjebrës në librat e shkollës, fat që e kemi që prej 1000 vjetësh kur një arab i nxënë i shpiku ato.

Problemi është se ata që duhet t’i mësojnë këto formula (për hir të së vërtetës, jo edhe aq të vështira), e që janë presidentët, donatorët, sponsorët e klubeve dhe drejtuesit nëpër bashki, as nuk e kanë vënë ujin në zjarr për këtë punë. Domosdo, paratë shkojnë lumë pa dobi, si në çdo rast tjetër kur lërohet një arë pa ditur gjë nga bujqësia.

Tani që po na vijnë kroatët, barra është bërë edhe më e rëndë, gati 1 milion euro thonë ata që dinë të numërojnë. As sakrifica 1-milionëshe nuk ka arritur t’ia hapë sytë drejtuesve të lartë të klubeve tanë. Pse, çfarë bëjnë ata, do të pyesin njerëzit që nuk i njohin aq nga afër këta trima.

Ata bëjnë pikërisht atë që nuk duhet bërë. Dëgjojnë çdo person të afërt nga gjaku, puna, gota, miqësitë e vjetra dhe të reja, por kurrë atë njeri që nuk ka afërsi me presidentin, por me vetë futbollin. Kjo quhet mungesë edukimi dhe për këtë duhet të bëhemi të gjithë bashkë që presidentët tanë të jenë kalueshëm në shkollën e drejtimit dhe menaxhimit të një klubi futbolli.

Shqipëria ka shumë Oto Bariçë, ndoshta jo aq “Maksimalë”, por sa për nevojat tona, po. Bejkush Birçe tek Partizani është një shembull i gjallë e i prekshëm, pavarësisht se as Perëndia vetë nuk ka ç’bën kur klubi është në atë gjendje. Me integritetin e mrekullueshëm moral dhe profesional, ky lab trim e përplasi të vërtetën hapur, pa pasur drojë nga presidenti i tij.

“Nuk ka ç’bën trajneri i huaj kur në klub nuk funksionojnë gjërat e tjera”, - tha Birçe. Ai që ka mend të kuptojë, jehona e këtyre fjalëve i bëhet si “president, më dhimbsen paratë e tua, mos i shko kot”. Birçe ka qenë trajner, madje duke lënë një emër, ka qenë edhe aq i guximshëm sa t’i thoshte një njeriu të pushtetit në kohën e komunizmit, “sa miq ke ti në Byronë Politike, unë kam lapidarë në Vlorë”.

Birçe nuk është caktuar drejtor teknik për t’i bërë nder, për të ngrënë një copë bukë, për t’u hequr qafe apo nga ndonjë telefonatë nga “lart” (ah, sa prishin punë ata që duhet të ndreqin). Vetë presidenti i Partizanit e ka marrë sepse e vlerëson. Dhe unë jam i bindur se nuk ka bërë gabim.
Klubit të futbollit i duhet drejtori teknik, ashtu si uji apo ajri i duhen njerëzve. Por vetëm drejtorë si Bejkushi, jo nga ata të telefonatave.

E Shtune, 08 Nentor 2008  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›