E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtoria e Burgjeve dhe AKMC marrëveshje për reagimin ndaj situatave të emergjencave civile

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e koordinimit ndërinstitucional dhe rritjen e kapaciteteve në fushën e mbrojtjes civile.

Marrëveshja u nënshkrua nga drejtori i përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi, dhe drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako.

Siç njofton Drejtoria e Burgjeve, bashkëpunimi synon zhvillimin e trajnimeve, ushtrimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta, shkëmbimin e ekspertizës profesionale, si dhe hartimin e programeve që forcojnë përgatitjen dhe reagimin ndaj situatave të emergjencave civile.

“Përmes kësaj marrëveshjeje, të dy institucionet angazhohen të bashkëpunojnë për ngritjen e kapaciteteve profesionale, përmirësimin e gatishmërisë operacionale dhe forcimin e mekanizmave të reagimit, në funksion të rritjes së sigurisë dhe mbrojtjes së jetës”, njoftoi drejtoria e burgjeve.

Sipas drejtorisë së Burgjeve, ky partneritet përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi më të koordinuar, më të përgatitur dhe më efektiv për menaxhimin e emergjencave civile, duke forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional në shërbim të interesit publik.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›