Jaupaj: Rojat mjedisore çdo ditë në vijën e parë të mbrojtjes së natyrës dhe të mikpritjes së vizitorëve

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj shprehu sot, në Ditën Botërore të Rojeve Mjedisore, mirënjohje për të gjithë rojat mjedisore, pjesë e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura,
Në një postim në rrjetet sociale, Jaupaj tha se rojat mjedisore të Administratave të Zonave të Mbrojtura me profesionalizëm, përkushtim dhe dashuri për vendin kujdesen për ekosistemet tona, biodiversitetin dhe trashëgiminë natyrore, duke qenë çdo ditë në vijën e parë të mbrojtjes së natyrës dhe të mirëpritjes së vizitorëve.
“Nga Alpet Shqiptare deri në Karaburun-Sazan, nga ligatinat e Nartës e të Kune-Vainit, te pyjet e Lurës, Prespës e Shebenik-Jabllanicës, çdo ditë ka njerëz që ecin në shtigje të vështira, përballen me sfida të shumta dhe punojnë në heshtje për të mbrojtur pasurinë më të çmuar që kemi: natyrën e Shqipërisë dhe për t’u garantuar mijëra vizitorëve që zgjedhin zonat tona të mbrojtura një përvojë të sigurt dhe në harmoni me mjedisin”, theksoi Jaupaj.
Në videon e publikuar Jaupaj solli shembullin e Lediona Shallarit, punonjëse e Administratës së Zonave të Mbrojtura Berat dhe Qemal Rusajt, roje mjedisi në Parkun Kombëtar Mali i Tomorit.
“Si roje mjedisore monitoroj monumentet e natyrës, kanionet e Osumit dhe ujëvarën e Bogovës. Ne jemi këtu çdo ditë në çdo stinë për të mbrojtur atë që nuk mund të zëvendësohet”, tha Shallari.
Ajo tha se duhet të kujdesemi për habitatet natyrore për florën dhe faunën dhe të sigurohemi që këto vlera të ruhen edhe për brezat që do të vijnë.
Ndërsa Qemal Rusaj, roje mjedisi në parkun kombëtar Mali i Tomorit, tha se “çdo ditë monitorojmë shtigjet dhe patrullojmë territorin, kam kaluar dekada në këto vende kam parë stinë që ndryshojnë pyje që rriten dhe breza njerëzish që vijnë për të shijuar natyrën”.
Sipas tij, çdo cep i këtij territori ka historinë e vet.
Dita Botërore e Rojave Mjedisore shënohet çdo vit më 31 korrik, për të nderuar ata që kanë humbur jetën ose janë plagosur gjatë kryerjes së detyrës, si edhe për të vlerësuar kontributin e tyre në mbrojtjen e natyrës, biodiversitetit dhe trashëgimisë kulturore.
Kjo ditë u krijua nga International Ranger Federation dhe festohet në mbarë botën që prej vitit 2007.
Rojat Mjedisore janë në vijën e parë të mbrojtjes së zonave të mbrojtura, duke monitoruar habitatet natyrore, parandaluar gjuetinë e paligjshme dhe prerjet ilegale, duke menaxhuar zjarret në pyje, si edhe duke ndërgjegjësuar komunitetet për ruajtjen e mjedisit.
Në Shqipëri, ata luajnë një rol kyç në administrimin e parqeve kombëtare dhe zonave të tjera të mbrojtura, duke kontribuar në ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.
Tema e Ditës Botërore të Rojave Mjedisore për 2026 është “Rojat Mjedisore: Mbrojtësit e një planeti në ndryshim”, duke vënë në pah rolin e tyre përballë sfidave si ndryshimet klimatike, humbja e biodiversitetit dhe krimet mjedisore.
/k.s/r.e/