Drejtuesi i socialdemokratëve gjermanë: Parlamenti shqiptar, jashtë standardeve evropiane
Nënkryetari i grupit parlamentar socialdemokrat në parlamentin gjerman, Gernot Erler, në një intervistë për një të përditshme, ka folur për mangësitë në funksionimin e parlamentit. Ai nuk i është referuar problemeve me bojkotin, por atyre me rregulloren e parlamentit. Erler tha se parlamenti shqiptar është jashtë standardeve evropiane. Siç dihet, rregullorja e re e parlamentit ka sjellë reagimin e ashpër të Komisionit Europian dhe të Brukselit në tërësi.
Në vendin tuaj ka disa probleme me të drejtat e deputetëve dhe të grupeve parlamentare. Pra, momentalisht puna e këtij institucioni nuk është shumë e kënaqshme dhe parlamenti është larg mënyrës së funksionimit sipas modelit të parlamenteve të Bashkimit Europian. Ky shqetësim është shprehur edhe nga KE dhe reforma parlamentare është pjesë e rëndësishme e rekomandimeve të Europës për Shqipërinë, tha Erler.
Ndërkohë mësohet se Partia Socialiste ka dorëzuar një draft me ndryshimet e reja në rregulloren e Kuvendit.