Drejtuesit e KOK, takojnë Moustafan

Në adresë të Federatës së Hendbollit të Kosovës, të hënën ka arritur ftesa zyrtare për takimin në mes të presidentit të Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit, Hasan Moustafa dhe kreut të Komiteti Olimpik të Kosovës (KOK), në përbërje Besim Hasani (kryetar) dhe Mexhit Devaja (nënkryetar i KOK dhe kryetar i FHK-së),
Ky takim pritet të mbahet me 20 janar, në Bazel të Zvicrës (selia e IHF-it) me fillim prej orës 11:00, deri në orën 13:00, informon kabineti i presidentit Moustafa.
Takimi është caktuar pas kontaktit të kryetarit Devaja dhe presidentit Moustafa, dhe ka për qëllim që institucioni më i lartë sportiv i Kosovës, KOK-u, të marrë mbështetje nga asociacioni më i lartë ndërkombëtar i hendbollit për pranimin e sportit kosovarë në Federatat gjegjëse dhe në vet Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (KON), ku pa mëdyshje dr Hassan Moustafa ka ndikim të madh.
Përveç bisedave rreth pranimit të Komitetit Olimpik, kryetari Devaja këtë takim do ta shfrytëzojë që të kërkojë nga Moustafa që ai ta shfrytëzojë autoritetin e tij tek Federata Evropiane e Hendbollit (EHF) që më në fund FHK të anëtarësohet me të drejta të plota në EHF dhe IHF.