E Shtunë, 31 Tetor 2026

Schumacher për titull

Shtatë herë kampioni i botës në Formula 1, Michael Schumacher, i cili u rikthye nga pensioni për të garuar për Mercedes, do të bëhet kampion më 2010, ka thënë shefi i ekipit Ross Brawn të hënën.

Gjermani i cili u pensionua më 2006, pasi kishte fituar dy tituj në Benetton dhe pesë të tjerë në Ferrari, do të garojë kundër ish-kampionëve të botës, Fernando Alonso, Lewis Hamilton dhe kampionit në fuqi, Jenson Button.

“Nëse do të duhej të vë bast për dikë mes tyre, atëherë është e qartë se Michael do të bëhet kampion i botës”, tha Brawn gjatë një interviste me të përditshmen sportive gjermane, Bild. “Michael tani është më i qetë. Kur u pensionua më 2006, Formula 1 ishte ngarkesë për të. Tani, e ndjej entuziazmin e tij të vjetër”, shtoi ai.

Mercedes që është marrë përsipër nga kampioni i sezonit të kaluar Brawn GP, ka transferuar edhe Nico Rosbergun si ngasës të tyre për vitin 2010. Kampioni i botës, Jenson Button u largua nga ekipi për në McLaren.

Kalimi në Mercedes e ribashkoi Schumacherin me Brawnin, drejtorin teknik, i cili e udhëhoqi atë drejt të gjithë titujve që kishte fituar.

“Nuk mendoj se ai do të fitojë nga gara e parë. Atij i nevojiten disa gara për t’u njohur me bolidët e tjerë dhe ngasësit e rinj. Tani shpresoj të shoh Schumacherin e vjetër. Kjo ka qenë gjithmonë fuqia e tij: të mësoj dhe të adaptohet jashtëzakonisht shpejt”, theksoi Brawn.

Schumacher, i cili nuk ka të drejtë të vozisë bolid aktual të Formulës 1 deri në hapjen e përgatitjeve më 1 shkurt, gjatë javës së kaluar kishte testuar në bolid GP2. Gara e parë e sezonit të ri zhvillohet më 14 mars në Bahrejn.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›