E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtuesit e universiteteve, tjetër mundësi për të mbajtur postet

19/12/2011  Kule konfirmon rikandidimin në UT

Ndryshimet e bëra në ligjin e arsimit të lartë u japin mundësi drejtuesve aktualë të universiteteve që të rikandidojnë në zgjedhjet e reja që do të zhvillohen në nisje të 2012-s, për të mbajtur postet e tyre. Të gjithë drejtuesit e fakulteteve, rektorateve apo dhe shefat e departamenteve kanë të drejtë të rihedhin sërish kandidaturën, edhe pse mund të kenë bërë më shumë se një mandat. Vetë drejtuesit e strukturave universitare shprehen se heqja e kësaj barriere i ndihmon ata që të çojnë deri në fund projektet e nisura për arritjen e zhvillimeve cilësore gjatë mandateve të para. Tashmë i mbetet Ministrisë së Arsimit që të shpallë datën se kur do të mbahen zgjedhjet e reja në universitete. Duke konfirmuar mundësinë e rikandidimit në postin e rektorit të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule është shprehur se ndryshimet në ligj janë tepër favorizuese për të gjitha strukturat e arsimit të lartë publik, pasi heqja e barrierës së mandatit të kufizuar ndihmon në zhvillimin e projekteve të nisura. “Aktualisht kam mendimin të rikandidoj sërish, e për këtë do t’i kërkoj stafit akademik dhe studentëve që të mbështesin kandidaturën time, pasi ka ende shumë punë për të bërë”, ka deklaruar Kule. Gjatë ditëve të ardhshme, MASH-i do të shpallë edhe udhëzimin mbi nisjen e fushatës zgjedhore në universitete, si dhe ditën kur do të mbahen zgjedhjet. Një pjesë e mirë e drejtuesve aktualë të fakulteteve, mandati i të cilëve zyrtarisht mbaron më 18 janar, shprehen të vendosur për të rihedhur një tjetër kandidaturë për mbajtjen e postit. Megjithatë, do të jenë stafet akademike dhe studentët, që më votat e tyre do të konfirmojnë nëse do të ketë ndryshime.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›