E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për herë të parë, spital-burg në Krujë për të sëmurët psikikë

19/12/2011  Pritet që 331 persona të izolohen dhe trajtohen nga Ministria e Shëndetësisë

TIRANE-Ndryshon skema e vuajtjes së dënimit për personat që vuajnë nga sëmundje mendore. Shumë shpejt, rreth 331 persona do të mbahen nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të Ministrisë së Shëndetësisë, e cila tashmë pritet të verë në zbatim një projekt për ngritjen e një spitali-burg. Vendi që është përzgjedhur për një nismë kaq të re, do të jetë burgu i Krujës, ku mësohet se ai do i nënshtrohet një rikonstruksioni rrënjësor, duke u zëvendësuar në një spital-burg, ku do mbahen të izoluar vetëm personat e dënuar që vuajnë nga sëmundjet mendore. Prej kohësh është diskutuar një projekt i tillë, pasi Shqipëria është një vend që s’ka një spital-burg, ku do të trajtoheshin personat me të meta mendore, të cilët janë përfshirë në vepra të ndryshme kriminale. Ndërtesa që njihet si burgu i Krujës do të kalojë në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë. Në një dalje publike, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, tha disa detaje mbi ndryshimin e infrastrukturës në sistemin penitenciar, ku mes 4750 personash të burgosur, 331 prej tyre janë me çrregullime mendore. “Fjala është për të sëmurë mendorë me mjekim të detyruar. Është një kategori brenda të sëmurëve që normalisht nuk duhet të trajtohet në sistemin e burgjeve. Pikërisht ligji për të sëmurët mendorë e zgjidh këtë problem. Pra, nuk do jetë më Ministria e Drejtësisë, por do jetë Ministria e Shëndetësisë. Vitin tjetër është parashikuar në buxhet ana administrative. Ajo që ne kemi burg në Krujë, do kthehet në spital. Pra, folëm për të dënuarit me mjekim të detyruar. Ndërkohë që për të dënuarit me probleme të lehta mendore, ata do trajtohen në spitalin e burgut apo në spitalin e burgut të Durrësit”, u shpreh Dibra. Në fillim të vitit pritet të marrë udhë një projekt i tillë, ku Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Drejtësisë, do të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi, nëpërmjet të cilës dënuarit dhe të paraburgosurit do të përfitojnë nga ligji i sigurimeve shëndetësore. “Ka nga ata të dënuar që vijnë me probleme, ka të tjerë që sëmuren gjatë trajtimit këtu në burg. E para është futja në skemën e sigurimeve shëndetësore të këtyre të dënuarve. Është një vendim i Këshillit të Ministrave që fillon nga zbatimi në fillim të vitit tjetër. Ndërkohë, është përgatitur ligji që do të zgjidhë gjithë gamën e kësaj problematike”, shtoi Dibra. Zyrtarisht nga Drejtoria e Burgjeve raportohet se për trajtimin me medikamente të të sëmurëve mendorë nga buxheti i shtetit gjatë vitit 2011, është shpenzuar një fond prej rreth 5 milionë e 900 mijë lekësh të reja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›