E Shtunë, 31 Tetor 2026

Higjiena, vendime mbyllje për 9 subjekte

19/12/2011  Kushtet në bare e restorante

Baret e restorantet në kryeqytet vijojnë të raportojnë probleme të rënda sa u takon kushteve higjieno-sanitare. Monitorimet e kryera nga Autoriteti Rajonal Shëndetësor gjatë muajit të shkuar kanë nxjerrë në pah probleme me pastërtinë e kuzhinave në më shumë se një të tretën e këtyre subjekteve. Kundrejt kësaj problematike, inspektorët sanitarë kanë lëshuar 9 vendime mbylljeje për subjektet me problemet më të theksuara, teksa qindra të tjera krahas gjobave të vendosura u janë lënë edhe procesverbale paralajmëruese. "Gjatë muajit të shkuar janë kontrolluar rreth 1500 subjekte. Masat e dhëna nga inspektorët sanitarë janë 9 vendime për mbylljen provizore për këto subjekte dhe rreth 26 gjoba për moszbatim të detyrave të lëna nga Inspektorati. Kryesisht në drejtim të kushteve higjieno-sanitare janë rreth 500 procesverbale, që janë lënë tek këto subjekte", - ka deklaruar drejtoresha e Autoritetit Rajonal Shëndetësor Liljana Ramasaco. Gjatë kontrolleve të kryera është konstatuar në masë mungesa e pastërtisë në ambientet ku gatuhet të bareve, fast-foodeve e restoranteve. Po ashtu probleme kanë rezultuar edhe me nivelin e lagështisë së gjendur në to. Matjet e kryera kanë treguar se në shumë prej këtyre subjekteve niveli i lagështisë ka rezultuar të jetë tepër më i lartë sesa parametrat e lejuara. Edhe për këto raste janë lëshuar paralajmërimet përkatëse për ndreqje të parametrave brenda kufijve të lejueshëm, në mënyrë që të mbrohet shëndeti i qytetarëve. Megjithatë, kontrollet do të vijojnë edhe gjatë këtij muaji, me intensitet më të lartë, duke ditur që frekuentimi i këtyre ambienteve është masiv për shkak të festave.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›