Drejtuesit në gjueti për ndërtimin e skuadrës së re
Trajneri i matjanëve, Dali Farruku, ka nisur punën për grumbullimin e skuadrës, që me 15 korrik do të nisë periudhën e saj përgatitore. Burime të sigurta informacioni bëjnë të ditur se, ai në bashkëpunim me administratorin e ekipit, Drilon Skura, kanë vendosur të negociojnë me ish-futbollistë të sezonit të kaluar, por edhe lojtarë të tjerë, në mënyrë që ato të pranojnë të luajnë me Burrelin.
Mësohet se Farruku e Skura kanë rënë dakord në parim për mënyrën e grumbullimit të skuadrës, trajtimin e tyre financiar dhe kushtet e akomodimit. Ata kanë sqaruar se një pjesë e ekipit që mbylli kampionatin e kaluar do të jetë edhe këtë vit, ndërkohë që po bëhen negociata për futbollistë të tjerë nga ekipe të Superligës apo Kategorisë së Parë.
Farruku është shprehur që në fillim të herës se ai synon të përfshijë në ekip lojtarë burrelas, ato që kanë luajtur sezonet e kaluara, por edhe të rinj që janë promovuar sezonin e kaluar. Interesimi i Bashkisë, këmbëngulja e administratorit Skura, mbështetja e fortë e tifozëve e bëjnë më të lehtë punën e trajnerit Farruku dhe futbollistëve.
Dje, dy nga ish futbollistët e formacionit bazë të kampionatit të kaluar, Hotaj e Bashi, kanë kontaktuar me autoritetet e futbollit të qytetit Burrelit dhe kanë rënë dakord të riveshin bluzën e kësaj skuadre me dëshirën e mirë për të dhënë maksimumin në realizimin e objektivave.
Farruku vazhdon bisedimet
Dali Farruku, trajneri i matjanëve, do të ketë sot dhe nesër paradite takime me futbollistët që mendohet se do të jenë pjesë e Burrelit. Ai tha se emërimi i tij si trajner është një përgjegjësi e madhe dhe se është i vendosur të ndërtojë një ekip konkurrues, me elementë cilësorë. Unë – shtoi Farruku – do të kem disa takime me futbollistët dhe do të interesohem me imtësi në lidhje me kushtet e akomodimit, hotelin, trajtimin ushqimor, kushtet e kontratës etj.
Për shumë probleme kam rënë dakord me kryetaren e Bashkisë dhe administratorin e klubit të futbollit, por tani ka ardhur koha të bisedojmë me hollësi për gjithçka-nënvizoi Dali Farruku. Nesër pasdite, zyrtarë të Bashkisë Burreli dhe zyrtarë të klubit do të bëjnë prezantimin e Farrukut dhe ndihmësit të tij në mjediset e Liri Ballabanit.
