E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drekë për çimenton

Kryeministrat Sali Berisha dhe Hashim Thaçi u takuan të dielën në Tiranë. Folën për përmbylljen e pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar historike për shqiptarët si dhe u zotuan për bashkëpunim më të thellë. Ndërkohë, Thaçi premtoi zgjidhjen e çështjes së taksës për çimenton brenda ditëve.

Kryeministrat Sali Berisha dhe Hashim Thaçi u takuan të dielën. Ata kanë diskutuar për përmbylljen e procesit të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar si historike për shqiptarët.

“Në bisedime dhe në drekën e punës, diskutuam gjerësisht mbi disa zhvillime historike për Kosovën dhe natyrisht për mbarë shqiptarët. Republika e Kosovës po përmbyll me sukses të plotë procesin e mbikëqyrjes së pavarësisë, përmbyllje që vjen si dëshmi e një suksesi të madh të zhvillimeve në Kosovën e pavarur dhe demokratike”, ka thënë Berisha në konferencën për media, pas takimit të së dielës.

Kryeministri Thaçi ndërkaq u shpreh optimist se më 2 korrik të këtij viti, kur edhe pritet të mbahet takimi Grupit Drejtues Ndërkombëtar në Vjenë, do të marrë vlerësim pozitiv për Kosovën. “Me besim të plotë, mund të them se më 2 korrik do të kemi vlerësimin pozitiv nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar mbështetës i pavarësisë së Kosovës për përmbylljen me sukses të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Thaçi në konferencën për media.

I tërë procesi, sipas tij, pritet të përfundojë në shtator, dy muaj para 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. “I gjithë ky proces, do të përmbyllet në fillim të shtatorit. Parlamenti i Kosovës sapo aprovoi leximin e parë të legjislacionit të duhur dhe të nevojshëm të ndryshimeve të kërkuara për të përmbyllur mbikëqyrjen e pavarësisë”, ka thënë Kryeministri i Kosovës.

Ky i fundit i është përgjigjur edhe interesimit të gazetarëve rreth dorëheqjes së Zëvendëskryeministrit të tij, Hajredin Kuçi, pas kalimit të tri neve të Kodit Penal në Kuvendin e Kosovë, që cenonin lirinë e medias. Veprimin e ish-ministrit të tij të Drejtësisë, ai e quajti instalim të një standardi dhe shembulli të mirë për mbajtjen e fjalës publike. “Zëvendëskryeministri kishte bërë një deklaratë publike, një deklaratë e cila theksonte se në rast se këto tri nene kalojnë, në shenjë pakënaqësie, do të jepte dorëheqjen. Zoti Kuçi ka instaluar një standard të munguar në Kosovë, të përgjegjësisë morale dhe publike të fjalës së dhënë dhe të mbajtur. Zoti Kuçi do të vazhdojë të mbetet një prej bashkëpunëtorëve të mi më të ngushtë”, ka thënë Thaçi. Ky i fundit, gjatë takimit me homologun e tij Berisha, thuhet të jetë zotuar për bashkëpunimin e mëtejshëm ndërshtetëror në rrugën europiane të të dyja vendeve.

E, përderisa të dy kryeministrat zotoheshin për bashkëpunim më të thellë, kanë përmendur edhe taksën e çimentos, të cilën Qeveria e Kosovës ua ka vënë të gjitha importeve duke përfshirë edhe atyre nga Shqipëria. Në lidhje me këtë, Thaçi tha se çështjen e çimentos do ta zgjidhë brenda ditëve.

“Ditët e ardhshme do të takohen autoritetet e shtetit të Kosovës dhe të Shqipërisë, dhomat ekonomike do të diskutojnë në të njëjtën kohë, po ashtu dhe ministritë përkatëse. Ndërkohë, flas me besim të plotë se do të jetë çështje e tejkaluar”, ka thënë Kryeministri Thaçi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›