Krasniqi: Veriu kërkon veprime të koordinuara
Kkryeparlamentari Krasniqi ka thënë se të gjithë veprimet, paraprakisht duhet të koordinohen me faktorin ndërkombëtar dhe se nuk duhet ndërmarrë hapa të ngutshme.
“Ne mendojmë se Kosova nuk duhet të ndërmarrin veprime të pakoordinuara, megjithatë tani është hapur një zyrë ekzekutive në pjesën veriore të Kosovës, është caktuar koordinatorja dhe kjo zyrë do të bëjë përgatitjen për zgjedhjet e ardhshme në komunën e Mitrovicës Veriore pasi që këto dy komuna të Mitrovicës do të kenë një barrë të përbashkët për qytetarët e Mitrovicës. Unë mendoj se ashtu siç janë integruar pjesa dërmuese e qytetarëve serb të Republikës së Kosovës në jetën publike dhe institucionale ashtu do të integrohen edhe serbët e pjesës Veriore”, ka thënë ai, raporton Kosovapress.
Krasniqi ka thënë se në pjesën veriore ekzistojnë strukturat paralele të pushtetit serb të cilat i kërcënojnë dhe pengojnë qytetarët serb të Kosovës t’i kthehen jetës normale në Kosovë, lirisë së plotë që e kanë të garantuar me kushtetutën e Kosovës dhe me dokumentin gjithë-përfshirës të presidentit Ahtisaari.
Duke folur për temën e bisedimeve me Serbinë, Krasniqi ka thënë se ka kërkuar nga zyrtarë të SHBA-së që ta ushtrojnë ndikimin e tyre, në mënyrë që, së pari, marrëveshje e arritura të realizohen.
Ai ka deklaruar se, pa një presion të fuqishëm të Brukselit dhe të SHBA-së, Serbia nuk do tregojë asnjë lloj vullneti dhe as gatishmërie për t’i respektuar marrëveshjet e arritura.