Drenica, sërish për pikë në kryeqytet
_556992.jpg)
Njëra prej ndeshjeve më interesante të xhiros së njëzetetretë të Superligës së Kosovës në futboll do të zhvillohet të dielën në kryeqytet ndërmjet kandidatit më serioz për titull të kampionit, Prishtinës dhe Drenicës, e cila po lufton për mbetje në elitë.
Para një jave, po në kryeqendrën e Kosovës, Drenica e befasoi Prishtinën duke e mposhtur me rezultat 0:2, në kuadër të xhiros së njëzetenjëtë. Mirëpo, bardhekaltrit shpejt e harruan atë humbje, pasi pas pak ditëve ia dolën që ta mposhtin Dritën me rezultat 0:3.
Andaj, kryeqytetasit e kanë fituar bindjen se i janë kthyer formës së mirë dhe se nuk do të lejojnë të ‘koriten’ sërish nga Drenica, ndaj së cilës me çdo kusht synojnë fitore për ta ruajtur pozicionimin e tyre në krye të renditjes tabelore.
“Ata na kanë mposhtur para një jave, por kjo nuk do të thotë se ne të dielën do të kërkojmë hakmarrje. Atë humbje e kemi harruar, andaj ne duam që me një lojë të mirë të dielën të shënojmë fitore dhe ta bëjmë një hap tjetër drejt titullit të kampionit”, ka deklaruar njëri prej futbollistëve kryesor të ekipit prishtinas, Besnik Krasniqi.
Mirëpo, djelmoshat e Wolfgang Jerat nuk do ta kenë të lehtë t’i fitojnë pikët e plota nga kjo përballje, pasi edhe Drenica e Bylbyl Sokolit do të bëjë çmos që t’i shmanget humbjes.
“Do të jetë një ndeshje e vështirë, sidomos për faktin se Prishtina do të mundohet ta rikuperojë humbjen që ia kemi shkaktuar pak më herët. Ata sigurisht se janë favoritë, pasi luajnë si vendas, mirëpo ne nuk do të dorëzohemi dhe me një lojë të mirë shpresoj ta arrijmë një rezultat pozitiv”, u shpreh lojtari i rrezikshëm i kuqezinjve, Taulant Dajaku, skuadra e të cilit aktualisht gjendet në vendin e shtatë të renditjes tabelore me 28 pikë.
Po të dielën do të zhvillohen edhe katër duele të tjera interesante, duke përfshirë derbin lokal të Mitrovicës mes Trepçës ’89 dhe Trepçës.
Superliga – xhiroja e 23-të
E diel
Prishtina – Drenica 13:15
Trepça ’89 – Trepça 15:00
Drita – Lepenci 15:00
Hysi - KEK-u 15:00
Besa – Gjilani 15:00