Drews: Nuk ka zvogëlim të trupave të KFOR-it

Komandanti i përgjithshëm i KFOR-it, gjenerali gjerman Erhard Drews, ka deklaruar se nuk do të ketë zvogëlim të trupave paqeruajtëse në Kosovë, përderisa janë angazhuar ndërkohë trupa rezervë, si përgjigje ndaj zhvillimeve të fundit në veri.
Kreu i KFOR-it këto komente i ka bërë në kampin e forcave amerikane Bondsteel (afër Ferizajt), gjatë ceremonisë së ndërrimit të kreut komandues të Grupit Luftarak Shumëkombësh të Lindjes, ku për të 15-tën herë trupat amerikane kanë bërë zëvendësimet e rregullta të forcave të tyre me shërbim të paqes në Kosovë.
Në ceremoninë e ndërrimit të komandantëve në Bondsteel, merrnin pjesë autoritete të ndryshme, përfaqësues të institucioneve të Kosovës, diplomatë të shteteve perëndimore me shërbime në Prishtinë, si dhe udhëheqës të komunave nga ky rajon.
Koloneli amerikan, Michel Schfarc, i ka kaluar përgjegjësitë komanduese për sektorin Lindje të KFOR-it, kolegut të tij, Jeffrey Liethen.
Komandanti i përgjithshëm i KFOR-it, gjenerali Drews, ka nënvizuar kontributin që kanë dhënë dhe po japin për 12 vjet trupat ndërkombëtare me mision për sigurimin e paqes në të gjithë territorin e Kosovës.