E Diel, 1 Nëntor 2026

Drews: Veriu kërkon zgjidhje politike

Komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Drews, ka thënë se kthimi i punëtorëve të Gjykatës së Qarkut në Mitrovicën e veriut, do të bëhet atëherë kur të krijohen kushtet dhe të gjendet një zgjidhje politike për këtë rajon. Këtë komente ai i bëri gjatë një vizite që i bëri Komunës së Vushtrrisë.

I pyetur nga gazeta “Zëri” se kur do të rikthehen në punë punonjësit e Gjykatës në veri të Mitrovicës, komandanti i KFOR-it tha se kjo do të bëhet kur të gjendet një zgjidhje politike në veri.

“Një rifillim i suksesshëm i punës së Gjykatës së Qarkut në veri të Mitrovicës, matanë Ibrit, mund të ndodhë atëherë kur të gjendet një zgjidhje politike, e cila do ta përfshinë edhe pjesën veriore të Kosovës”, ka thënë gjenerali Drews.

Për më tepër, ai tha se drejtësia është shumë e varur nga besimi i qytetarëve dhe nga ambienti i sigurt, të cilat, sipas tij, tani mungojnë në veri.

“Drejtësia varet nga besimi i qytetarëve dhe nga një ambient i sigurt. Momentalisht nuk e kemi këtë gjendje atje”, ka deklaruar gjenerali Drews, pas takimit që kishte me kryetarin e Komunës, Bajram Mulaku.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›