Dridhje të reja në Itali

Vazhdon të dridhet toka në veri të Italisë. Lëkundjet më të forta janë ndjerë rreth orës 3 dhe 4 të mëngjesit të së hënës në zonat Mirandola, San Felice dhe Finale Emilia, po ato qyteza që u goditën më fort nga tërmeti i 24 orëve më parë, që shkaktoi 7 viktima.
Gjatë gjithë ditës së diele ka pasur rreth 100 lëkundje të përsëritura, të cilat kanë shkaktuar dëme në banesa dhe në trashëgimi kulturore të rajonit të Emilias.
Popullsia ka preferuar të kalojë natën në qendrat e pritjes, në vend të shtëpive nga frika e tërmeteve të tjerë.
Edhe pse Mbrojtja Civile po punon pa pushim, qindra persona në Modena dhe Ferrara nuk kanë gjetur vend në qendrat e pritjes dhe kanë kaluar natën në makinat e tyre.