E Shtunë, 31 Tetor 2026

Guardiola – Vilanova s’kanë probleme

Mesfushori Xavi ka insistuar se nuk ka përçarje ndërmjet trajnerit të Barcelonës, Pep Guardiola dhe asistentit të tij Tito Vilanova.

Përpara finales së Copa del Rey kundër Athletic Bilbaos, disa media kishin sugjeruar se marrëdhëniet ndërmjet tyre ishin prishur që kur ishte lajmëruar se Vilanova do ta zëvendësonte Guardiolan në fund të këtij edicioni, por Xavi ka thënë se nuk ka asgjë të vërtetë nga këto thashetheme.

“Gjithçka është normale, marrëdhëniet ndërmjet Guardiolës dhe Titos janë të shkëlqyeshme dhe ne jemi të bashkuar. Thashethemet janë të pashmangshme. Ne nuk mund të kontrollojmë gjithçka rreth nesh. Të gjithë janë të lirë të flasin, por skuadra është vetëm e koncentruar në finalen e kupës”, tha Xavi.

“Tito është shumë i respektuar nga lojtarët. Ai sheh shumë futboll dhe është i pasionuar pas kësaj loje. Ai e njeh ekipin dhe ka luajtur një rol kyç në sukseset e skuadrës përgjatë këtyre katër viteve. Ai ishte ndryshimi më pak drastik, por zgjedhja e duhur”, tha përfaqësuesi spanjoll.

Barcelona është duke u përgatitur për ndeshjen finale të Copa del Rey kundër Athletic Bilbaos, që do të zhvillohet më 25 maj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›