E Diel, 1 Nëntor 2026

Drilon Shala: Dua të kem sukses edhe jashtë kufijve shqiptarë

Intervistoi: Anduela Gojka

A ka qenë The Voice of Albania ajo që e nisi karrierën tuaj si muzikant? Dhe sa ndikoj ajo në zhvillimin dhe përmirësimin tuaj si artist?
The Voice of Albania nuk ishte i pari spektakël që më futi në botën e muzikës, sepse unë jam marrë me këngën që i vogël, duke qenë prezent në shumë festivale për fëmijë fillimisht në qytete të ndryshme të Kosovës ku edhe jam shpërblyer me shumë çmime, dhe më vonë edhe në festivale e koncerte për të rinj. Mirëpo ajo që vlen të theksohet tek rasti im është që unë kisha një kohë të gjatë që bëra një pauzë përsa i përket muzikës, dhe The Voice of Albania për mua si eveniment shërbeu për shumë gjëra. Përmes këtij spektakli unë arrita të promovohem shumë si këngëtar duke qenë se isha pjesë e spektaklit gati deri në fund (pra deri në gjysëmfinale) dhe publiku arriti të më njihte e të më pëlqente. Përveç promovimit, ky spektakël dhe stafi që e realizoi, më ka ndihmuar që unë të krijoj lidhje e kontakte me njerëz të njohur e profesionist të fushës së muzikës që po më ndihmojnë që karrierën si këngëtarë tashmë ta realizojë në mënyrën më të mirë të mundshme. Kjo eksperiencë ka ndikuar shumë në zhvillimin dhe përmirësimin tim si artist, sepse përmes saj unë pata mundësinë të punoja me një njeri të mrekullueshëm e profesionist si Sidrit Bejleri, përmes së cilit arrita të merrja shumë këshilla profesionale sa i përket vokalit, mirëpo i cili gjithashtu më dha materiale muzikore të cilat më ndihmuan që unë të shprehja veçanti vokale të cilat i posedoja por të cilat ishin të fshehura tek unë.
Ju jeni në fillimet tuaja si këngëtar, mendoni se do ta vazhdoni këtë karrierë si profesion apo do i lini hapësirën e një pasioni i cili do jetë pjesë plotësuese e jetës suaj?
Duke qenë se unë për momentin i jam përkushtuar edhe profesionit prej ekonomisti, kjo nuk do të thotë që nuk po angazhohem maksimalisht edhe për këngën. Po mundohem shumë që njëkohësisht të gjej një balancë dhe ti realizoj të dyja pavarësisht që më duhet ta pranoj që është paksa e vështirë, mirëpo një gjë e di me siguri dhe ajo është që muzika dhe këndimi janë pjesë plotësuese e jetës sime pa të cilat nuk mund të jetojë dhe të jem ky që jam, dhe nga një pasion i tillë nuk kam ndërmend të heq dorë asnjëherë.
Sapo keni mbaruar dhe lançuar këngën tuaj më të re nëpër turnet verore që u zhvilluan, a do pasohet ajo me një videoklip?
Është e vërtetë që sapo përfundova këngën time më të re të titulluar Më mungon. Ajo që vlen të theksohet tek kjo këngë është fakti që një këngë e tillë është krijimi im i parë duke pasur parasysh që muzikën dhe tekstin e kësaj kënge e kam bërë vetë. Gjithashtu më duhet të falënderoj tej mase edhe kompozitorin e mrekullueshëm shqiptar Alfred Kaçinari që bëri një punë të mrekullueshme duke më ndihmuar me orkestrimin e kësaj kënge. Gjithashtu një falënderim të veçantë i jap edhe këngëtares së mirënjohur shqiptare Eneida Tarifa e cila pranoj me kënaqësi dhe nuk hezitoj që të kontribuonte në këtë këngë duke hedhur zërat e dytë. Sa i përket videoklipit, në mendje e kam, mirëpo për momentin jam duke shikuar për bashkëpunëtore dhe asgjë nuk është e sigurtë, kështu që nuk mund të prononcohem, mirëpo shpresojë shumë që një kënge të tillë ti bashkëngjis një klip pasi që po pëlqehet shumë nga publiku.
Kujt i dedikohet krijimi juaj më i ri me titull Më mungon?
Kënga Më mungon është e një rëndësie të veçantë për mua pasi këtë këngë ia kam dedikuar një prej personave më të rëndësishëm në jetën time që nuk jeton më, gjyshes sime.
Gjatë këtij sezoni veror keni qenë i pranishëm në disa aktivitete verore, si jeni mirëpritur në to nga publiku shqiptarë? Po në Kosovë a keni ju ndonjë projekt?
Po, gjatë këtij sezoni veror isha shumë aktiv, sepse isha i pranishëm në dy evenimente verore të organizuar nga dy subjekte televizive: më saktësisht isha pjesë e Summer Fest të organizuar nga Top Channel dhe që u mbajt në qytetin e Vlorës ku këndova dy këngë atë të Top Fest Mos thuaj mbaroi dhe një cover të H.I.M. Ëicked Game. Gjithashtu isha pjesë i evenimentit Hit Fest të organizuar nga TVSH, ku prezantova këngën time më të re Me mungon në tri qytete të ndryshme, respektivisht Pogradec, Velipojë dhe Tiranë. Pritja e publikut shqiptar ishte e mrekullueshme dhe shumë e ngrohtë. Ne Kosovë tiu them të drejtën kam qenë më pak aktiv gjatë këtyre muajve të verës, dhe kjo për shkak të angazhimeve që kisha në Shqipëri, mirëpo vlen të theksohet se në Kosovë jam më aktiv me net live nëpër pube të ndryshme ku këndojë me një grup muzikantësh gjithashtu shumë profesionistë.
Sa e ndjetë ju mbështetjen e publikut kosovar gjatë Voice-it dhe mendoni se ishte nga një ana dhe meritë e tyre që ju nuk dolët asnjëherë në sing-off?
Gjatë pjesëmarrjes sime në The Voice tiu them të drejtën kam ndjerë përkrahjen nga publiku i të gjitha trevave shqipfolëse. Fakti që isha nga Kosova nuk mendojë që kishte të bënte me atë që unë nuk dola asnjëherë në sing-off dhe isha i shpëtuar nga vota e publikut gjatë gjithë pjesëmarrjes sime në The Voice. Përkundrazi, nëse flasim nga ajo që un kam vënë re nëpër mediat dhe njerëzit që kam takuar nëpër rrugë, kam gjetur vëmendje dhe përkrahje akoma më të madhe në Shqipëri. Për këtë gjë, domethënë mos daljen në sing-off asnjëherë unë i jam shumë mirënjohës gjithë publikut shqiptar nga çdo trevë shqipfolëse.
Si e ndjetë veten duke qenë se ishit i vetmi pjesëmarrës nga Kosova në Hit Fest? Ju bëri të ndjeheni ndopak të privilegjuar?
E vërtetë që tek festivali verore i organizuar nga TVSH, pra HitFest isha i vetmi pjesëmarrës nga Kosova dhe kjo të them të drejtën normalisht që më bëri të ndihem i privilegjuar pasi që mora ftesën nga profesionist të fushës së muzikës që më bënë këtë ftesë duke u bazuar në pëlqimin e tyre gjatë pjesëmarrjes sime në The Voice, dhe kjo kishte rëndësi të madhe për mua. Gjithashtu fakti që isha i vetmi pjesëmarrës nga Kosova e rriti përgjegjësinë time akoma më shumë që unë të jepja maksimumin tim në mënyrë që të kisha paraqitje sa më dinjitoze dhe të mos zhgënjeja asnjeri.
A patët ju një shndërrim brenda një viti, nga një person i panjohur në një njeri tashme të famshëm?
Falë pjesëmarrjes në The Voice shndërrimi ishte i pashmangshëm. Është e vërtetë që tashmë shumë njerëz më njohin, më përshëndesin kur më shohin në rrugë apo duan të bëjnë foto me mua. Kështu që është e vërtetë që deri në një pikë arrita të bëhem i famshëm dhe kjo falë një evenimenti dhe organizimi grandioz siç ishte The Voice of Albania që për një kohë të shkurtër bëri të mundur një gjë të tillë për ne.
Cili është pikësynimi juaj më i lartë që dëshironi ta arrini? Mendoni se do ndjeheni të plotësuar atëherë?
Duke qenë person ambicioz edhe pikësynimet e mia janë që të arrijë sa më lart dhe të jem sa më i suksesshëm. Ajo që unë dua është që të arrijë të bëhem një këngëtar, këngët e të cilit pëlqehen nga një pjesë e madhe njerëzish dhe jo vetëm kaq, por një këngëtarë që do ngelet në mendjen e njerëzve për muzikën që bën dhe mesazhet e stilin që përcjell. Normalisht që ambicia është e madhe, dhe pse jo pikësynimi im është që suksesi im të mos ngelet vetëm brenda kufijve shqiptarë mirëpo të arrijë edhe nivel ndërkombëtar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›