Elis Nova: Trajnerët e Voice of Albania vazhdojnë të jenë si prindër për ne
Intervistoi: Anduela Gojka
Zbulimi i talenteve të reja në vendin tonë, po kryhet nga disa televizione, të cilat i marrin dhe i shndërrojnë në profesionistë këta të rinj që kanë pasion muzikën. Një gjë e tillë ka ndodhur dhe me dy të intervistuarit tanë, Elis Novën dhe Drilon Shalën. Elisi shprehet për gazetën Tirana Observer: Më pëlqen të jem nën presionin e punës, është ndjesi e cila më mban gjallë me plot kuptimin e fjalës!. Ndërkohë Driloni shprehet: Muzika dhe këndimi janë pjesë plotësuese e jetës sime pa të cilat nuk mund të jetojë dhe të jem ky që jam, dhe nga një pasion i tillë nuk kam ndërmend të heq dorë asnjëherë. Në fund të intervistës Nova jep një mesazh për gjithë të rinjtë shqiptarë: Keni një talent, keni një dhunti, angazhohuni, aktivizohuni, merrni pjesë aty ku ndiheni mirë pa menduar për paragjykimet. Vetëm në këtë mënyrë mund ecim përpara!
Keni pasur lidhje të tjera me muzikën më përpara se të merrnit pjesë në audicionet e The Voice of Albania?
Muzika dhe unë kemi lindur bashkë, paralelisht. Ajo për mua ka qenë dhe do të mbetet pasioni im. Këtë i thoja vetes deri në momentin që mu dha mundësia të ngjitesha në skenë, dhe pikërisht në skenën e The Voice of Albania, kontakti im i parë me televizionin, skenat e muzikës, popullin etj. Tani muzika për mua është diçka përtej pasionit, realitetit!
A vazhdon të kesh mbështetjen e trajnerit tuaj dhe pas mbarimit të Voice-t? A ju ka ardhur ndonjë ftesë për të qenë pjesëmarrës në ndonjë aktivitet?
Çfarë më pëlqeu nga ky spektakël, pra The Voice of Albania, është se trajnerët tanë, në radhë të parë u bënë prindër dhe miq dhe të tillë mbeten edhe sot e kësaj dite, muaj pasi The Voice ka përfunduar! Kam marr pjesë në aktivitete të ndryshme pas spektaklit, ku dy të fundit ishin Summerfest, zhvilluar nga Top Channel, dhe Hitfest, zhvilluar nga TVSH, ku mora pjesë me këngën time të fundit e cila titullohet Fletë të bardha.
A keni ju një ikonë që do dëshironit ta ndiqnit si model, një person që ju frymëzon sa herë që e dëgjoni?
Që në moshën 16 -vjeçare vazhdoj ende sot të kem një idhull. Emri i tij është Jared Leto, aktor dhe vokalist i grupit 30 Seconds to Mars. Arsyeja përse ky njëri ka ndikuar shumë tek unë, është sepse është ndër të paktët artist pa komplekse dhe shumë i drejtpërdrejtë. Për mua artistët duhet të jenë me këmbë në tokë dhe shumë të komunikueshëm, sidomos nëpërmjet muzikës.
Cili është repertori ku ju e ndjeni veten më mirë gjatë performancave tuaja?
Besoj se rrymat që më përshtaten më së miri janë Rock, Pop/Rock dhe Rock Alternativ. Mendoj se përshtaten me llojin e vokalit tim. Shumë njerëz mendojnë se edhe rrymat si RnB ose Pop më përshtaten megjithatë po provoj pak nga të gjitha!
Si janë mirëpritur krijimet tuaja të reja dhe a do pasohen ato me ndonjë videoklip?
Mendoj se së shpejti do ketë shumë prurje sepse po punoj vërtet fort me kompozimet e mia! Deri më tani, kënga Koha e Arte, me tekst dhe muzikë nga Alban Skënderaj dhe Miriam Cani, është pritur shumë mirë, ashtu si dhe kënga ime më e re, Fletë të bardha, me të cilën mora pjesë në festivalin zhvilluar nga TVSH, Hitfest. Përsa i përket videoklipit, jam ende duke punuar skenarin!
Jemi në përfundim të sezonit veror, i cili ka qenë për ju mjaft i ngjeshur. Po për këtë sezon të ri cilat janë projektet tuaja?
Projektet janë të shumta. Kur them të shumta e kam fjalën për muzikën live, koncertet dhe evenimentet e ndryshme artistike. Më pëlqen të jem nën presionin e punës, është ndjesi e cila më mban gjallë me plot kuptimin e fjalës!
Sa ka ndikuar në individualitetin tuaj muzika dhe a luani ju në ndonjë vegël muzikore?
Muzika ka bukurinë, si çdo fushë arti, që është shumë e gjerë dhe falë kësaj vetie, ti si individ mund të zgjedhësh se ku ndihesh më mirë. Si çdo fëmijë edhe unë kam kaluar faza të ndryshme në pëlqimet e rrymave. Me kalimin e kohës fillova të eksperimentoja me vegla të ndryshme si violina, kitarja, piano etj. Për të kompozuar përdor gjithmonë kitarën dhe në raste të rralla pianon, të cilat i kam mësuar vetë.
A ju njohin ju nëpër ambiente të ndryshe nën etiketën Elisi i Voice-t?
Po më ka ndodhur shpesh herë të më njohin dhe të më etiketojnë si: Uh, djali i Voice ose e preferuara ime Yyy Albani. Megjithatë është kënaqësi e veçantë të të njohin dhe të të vlerësojnë për talentin që ke.
Cila është ajo gjë që do dëshiroje ti shtoje kësaj interviste?
Atë gjë që kam shprehur gjithmonë. Mesazh për të rinjtë në mbarë Shqipërinë tonë të dashur. Keni një talent, keni një dhunti, angazhohuni, aktivizohuni, merrni pjesë aty ku ndiheni mirë pa menduar për paragjykimet. Vetëm në këtë mënyrë mund ecim përpara!