Drini ul prurjet, bie niveli i hidrocentraleve
Drini po normalizohet. Kaskada e lumit Drin po vjen në parametra më të menaxhueshëm sesa ditë më parë, kur prurjet në të ishin të larta, e për pasojë sollën shtimin e sasisë së ujit në HEC-e, duke rrezikuar që ato të kalonin nivelin e tyre maksimal. Burime zyrtare të KESH-it kanë publikuar dje të dhëna pozitive rreth nivelit të prurjeve në kaskadën e Drinit, të cilat kanë rënë ndjeshëm. Kjo ka bërë që dhe niveli i ujit në rezervuarët e hidrocentraleve të Fierzës, Komanit e Vaut të Dejës, të jetë më i normalizuar. Duke qenë se prurjet kanë rënë, specialistët e KESH-it kanë vendosur që dhe niveli i shkarkimeve të ujit nga hidrocentralet kryesore të kaskadës së Drinit të jetë në nivele më të ulët. Sipas të dhënave të KESH-it, hidrocentrali i Fierzës, që ka një nivel maksimal të liqenit 296 metra, dje është ulur në një nivel prej 291.01 metra, ndërsa ka pasur prurje në një nivel prej 500 m3 ujë/sek dhe uji i shkarkuar ka pasur një kapacitet prej 440 m3 ujë/sek. Hidrocentrali i Komanit, që ka një nivel maksimal të tij 175 metra, dje ka shënuar një nivel 170.25 metra, me një nivel të prurjeve prej 270 m3ujë/sek dhe nivele të shkarkimit të ujit prej 430 m3ujë/sek. Hidrocentrali i Vaut të Dejës që ka një nivel maksimal 76 metra, dje sipas burimeve të KESH-it arriti në nivelin 74.47 metra me një sasi prurjesh prej 220 m3ujë/sek dhe një nivele shkarkimi të ujit prej 250 m3/sek. Siç shihet dhe nga të dhënat zyrtare të KESH-it, duket qartë se ka një përmirësim të situatës në HEC-et kryesore, çka do të thotë se në ditët në vazhdim mund të ketë një përmirësim edhe të situatës në zonat e përmbytura në Shkodër. Ministri Prifti dhe specialistë të KESH-it kanë monitoruar dje nga afër situatën në Shkodër dhe ministri ka deklaruar se tashmë HEC-et janë nën kontroll të plotë dhe asnjë rrezik nuk pritet prej tyre. Po dje, drejtori i Politikave në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Ylli, ka inspektuar me një grup ekspertësh zonat e përmbytura në Shkodër. Ylli ka deklaruar se situata në Shkodër po shkon drejt përmirësimit dhe shkarkimet nga hidrocentralet janë ulur ndjeshëm. Ylli deklaroi gjithashtu se banorët kanë pasur mirëkuptim të plotë për situatën. Drejtori i Politikave tha dje se ka qenë një menaxhim i shkëlqyer nga strukturat qeveritare, ndërsa ka vënë theksin në faktin se dëmshpërblimi për banorët do të jetë i plotë dhe i menjëhershëm.