E Diel, 1 Nëntor 2026

OKB, 270 mijë dollarë në ndihmë të banorëve të prekur nga përmbytjet

Kombet e Bashkuara në Shqipëri kanë ndjekur zhvillimet në veri të vendit, aty ku shirat e rrëmbyer gjatë ditëve të fundit kanë dëmtuar jetën e popullsisë lokale. Kombet e Bashkuara janë të shqetësuara për popullatën e prekur. Gulden Turkoz-Cosslett, Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, thotë: “Kemi parë frymën e solidaritetit me të cilën qeveria dhe institucione të tjera po i përgjigjen kësaj situate, përfshi mbështetjen e dhënë në kohë nga komuniteti ndërkombëtar. Kombet e Bashkuara i bashkohen përpjekjes mbarëkombëtare për të tejkaluar këtë kohë të vështirë. Pas konsultimeve të ngushta me qeverinë dhe anëtarë të tjerë të komunitetit ndërkombëtar, Kombet e Bashkuara në Shqipëri kanë vendosur të kontribuojnë 270.000 dollarë në mbështetje të përpjekjeve të qeverisë për t’iu përgjigjur kësaj emergjence. Ky kontribut do të jetë i disponueshëm në formën e parave cash si grant emergjent për familjet e prekura nga përmbytjet, si dhe do të mbështesë përpjekjet e qeverisë për të koordinuar operacionet e emergjencës në ditët dhe javët në vijim. Ky fond u mundësua nga zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (PNUD) dhe Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF). Veç kësaj, një anëtar i ekipit të Kombeve të Bashkuara për Vlerësimin dhe Koordinimin e Katastrofave (UNDAC) ka mbërritur në Tiranë si pjesë e misionit të BE-së për Monitorim dhe Informim, në mbështetje të nevojave urgjente të qeverisë për koordinim dhe vlerësim. Një ekspert i dytë, anëtar i UNDAC, do të jetë në dispozicion të Ministrisë së Brendshme për një periudhë 3-javore, për të lehtësuar koordinimin kombëtar të asistencës ndërkombëtare pranë Departamentit të Emergjencave Civile.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›