Drita ‘kërcënon’ Vushtrrinë
_51899.jpg)
Njëra prej ndeshjeve më interesante të xhiros së katërt të Superligës do të zhvillohet të enjten në Vushtrri ndërmjet Llamkos Kosovës dhe Dritës. Të dyja këto skuadra e kanë nisur mirë edicionin e ri.
Vushtrriasit gjatë gjithë verës ishin mundur t’i konsolidonin sa më mirë radhët e tyre, ndërsa tani gradualisht ato përpjekje po u japin edhe fryte.
Të rikthyerit në Superligë në tri xhirot e para dy herë kanë barazuar, derisa e kanë shënuar një fitore duke u ngjitur kështu në kuotën e pesë pikëve, shtatë më pak sesa Prishtina me një ndeshje më shumë të zhvilluar.
Por, trajneri i bardhekaltërve, Besnik Kollari, beson se skuadra e tij të enjten do ta shfrytëzojë përparësinë e terrenit dhe do ta shënojë fitoren e dytë në këtë edicion përballë gjilanasve.
“Drita deri më tash i ka fituar dy ndeshje e posaçërisht në takim e fundit e pati një paraqitje të shkëlqyeshme. Sikur për çdo takim, njëjtë jemi përgatitur edhe për duelin me Dritën. Nuk do ta kemi aspak të lehtë, por besoj se djelmoshat e ekipit tim do të angazhohen maksimalisht që pikët e plota t’i ndalim në Vushtrri”, tha Kollari.
Mirëpo, vushtrriasit nuk do ta ketë të lehtë ta arrijnë këtë objektiv përballë Dritës, e cila në Vushtrri do ta kërkojë fitoren e tretë në këtë kampionat. Deri më tash gjilanasit e kanë pësuar vetëm një humbje dhe gjenden në pjesën e epërme të tabelës me 6 pikë.
“Gëzohem që do të udhëtoj drejt Vushtrrisë me ekipin tim të ri për të luajtur ndaj ish skuadrës sime, e cila tani është ndër më cilësoret në vend. Pavarësisht fushës jo fort të mirë, ne do të mundohemi të aplikojmë futboll të hapur e sulmues, sepse ashtu kërkohet fitorja”, u shpreh ish trajneri i vushtrriasve, tash i gjilanasve, Arbnor Morina.
Po të enjten skuadra tjetër e re e Superligës, Ferronikeli do të jetë nikoqir i nënkampionit aktual, Trepçës ’89.
Superliga – Xhiroja e katërt
E enjte
LL. Kosova – Drita
Ferronikeli – Trepça ‘89
Të dyja ndeshjet fillojnë në orën 16:00