E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi rithekson përkushtimin e Qeverisë për rend e ligj

Kryeministri Hashim Thaçi ka pritur të mërkurën Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë, Wolfgang Waldner, me ç’rast kanë diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, bashkëpunimi mes Kosovës e Austrisë dhe përmbushjen e agjendës evropiane të Kosovës.

Në këtë rast Thaçi ka theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, me theks të veçantë në pjesën veriore.

“Në këtë angazhim jetik për funksionimin e plotë të shtetit të Kosovës, ne kemi edhe përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Në takim me diplomatin austriak, kryeministri Thaçi ritheksoi vizionin dhe angazhimin konsistent të Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmbushjen e plotë të standardeve dhe kritereve evropiane të integrimit.

Në këtë vazhdë, Thaçi përmendi edhe fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave në fund të këtij viti, që është rezultat i punës së vazhdueshme të institucioneve kosovare në përmbushjen e kritereve lidhur me këtë proces.

Kryeministri edhe në takimin e sotëm nuk ka harruar të shpreh mirënjohjen e tij dhe të qeverisë që drejton për mbështetjen e vazhdueshme që Qeveria e Austrisë i ka dhënë dhe po i jep Kosovës.

Kurse Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë, Wolfgang Waldner vlerësoi lartë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Austrisë dhe i garantoi kryeministrit Thaçi për vazhdimin e mbështetjes austriake për perspektivën evropiane të Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›