E Diel, 1 Nëntor 2026

Dritan Dajti rrezikon të ngelet i paralizuar

Plumbat e qëlluar nga armët e policëve që u vranë në operacionin e 7 gushtit për arrestimin e Dritan Dajtit në Durrës, duket se do t’i kushtojnë këtij të fundit. Për shkak të prekjes së shtyllës kurrizore nga një prej plumbave, ai rrezikon të mbetet i paralizuar përjetë në njërën këmbë.
Lajmi bëhet i ditur nga burime zyrtare pranë Spitalit të Burgut, ku Dajti ndodhet që prej ditës së arrestimit të tij. Sipas burimeve, Dajti ka humbur totalisht ndjeshmërinë në këmbën e tij të majtë, ndërsa ndjeshmëria është e kufizuar edhe në këmbën tjetër.
Gjendja e përgjithshme e Dajtit mësohet të jetë e qëndrueshme dhe nuk paraqet rrezikshmëri për jetën e tij.

Rreziku për një paralizë të përjetshme të njërës prej gjymtyrëve të poshtme të Dritan Dajtit, të shumëkërkuarit të arrestuar pak ditë më parë, u konfirmua dje nga burime zyrtare pranë Spitalit të Burgut. Drejtori i këtij spitali pohoi se “kemi të bëjmë me një monoplegji”.

Ndërkohë që burime pranë stafit të spitalit sqaruan se shkak i paralizës së pjesshme  ishte njëri nga plumbat që i ka prekur shtyllën kurrizore Dajtit.  Plumbat e policëve nga të cilët u plagos, dy prej të cilëve Dajti i ka ende në trup, i kanë shkaktuar atij humbjen e ndjeshmërisë në gjymtyrët e poshtme. Sipas burimeve, plumbi në këmbën e djathë, në afërsi të kofshës, i ka shkaktuar Dajtit humbje të lehtë të ndjeshmërisë nervore në këtë gjymtyrë. Ndërsa mësohet se plumbi që e ka “ndëshkuar” më rëndë është ai që i ka prekur shtyllën kurrizore. Për shkak të tij, Dajti ka humbur plotësisht ndjeshmërinë në këmbën e majtë.

Referuar burimeve, është ende herët të përcaktohet nëse paraliza në gjymtyrën e poshtme të majtë të Dajtit është e përkohshme dhe e rikthyeshme, apo do të zgjasë përjetë. Gjithashtu, mësohet se do të jetë stafi mjekësor i Spitalit të Burgut ai që do të vendosë nëse do të kryhet apo jo ndërhyrja për nxjerrjen e plumbave të mbetur në trupin e Dajtit, që prej ditës së arrestimit të tij.

Dritan Dajti u plagos pak pas mesditës së 7 gushtit, në aksionin policor për arrestimin e tij. Pas 6 vjetësh arrati, ai shkëmbeu zjarr me katër efektivët e policisë që kishin mbërritur për ta arrestuar, ndërsa mori 3 plagë nga zjarri i armëve të tyre.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›