Dritan Dajti sfidon hapur drejtësinë: Nuk dua të gjykohem!
Krimet e Rënda
I akuzuari për vrasjen e katërfishtë të punonjësve të policisë, zvarrit qëllimisht gjyqin
Dritan Dajti po sfidon hapur drejtësinë, e cila, nga ana e saj, nuk ka marrë asnjë masë për zhvillimin normal të procesit gjyqësor, për zbardhjen e vrasjes së katërfishtë të punonjësve të policisë, ngjarja e ndodhur katër vite me parë. Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të Gjykatës së Krimeve të Rënda, sërish procesi i djeshëm gjyqësor është shtyrë, pasi i pandehuri është larguar nga seanca. Më herët, ai kishte kërkuar përjashtimin e trupës gjyqësore në procesin penal ku ai gjykohet për vrasjen e katër oficerëve të policisë, por kërkesa e tij është hedhur poshtë. Në seancën e zhvilluar nën masa të shtuara sigurie, Dajti e konsideroi trupën gjyqësore të paaftë, të njëanshme dhe penguese për një proces të rregullt ligjor.
Ai e argumentoi kërkesën e tij me faktin se gjykata nuk po zhvillon seancat dhe nuk pranon të gjykohet pa një avokat mbrojtës. Por kërkesa e tij, e shqyrtuar nga një gjykatës tjetër, u hodh poshtë dhe ai do të vazhdojë të gjykohet nga e njëjta trupë gjyqësore.
Prej më shumë se një viti, të gjithë avokatët e caktuar nga gjykata për të mbrojtur interesat e tij kanë refuzuar të paraqiten në gjyq. Në këto kushte, në seancën e kaluar, trupi gjykues vendosi që Dritan Dajti të gjykohet edhe pa avokat. Por, duke qenë një njohës mesatar i procedurave gjyqësore, Dajti është larguar nga seanca e në kushte të tilla, trupi gjykues e kishte të pamundur që të vazhdonte procesin.
Megjithëse janë bërë rreth 2011 seanca gjyqësore, ky proces vazhdon të jetë në vendnumëro, pasi i pandehuri nuk pranon të gjykohet pa avokat dhe asnjë prej avokatëve nuk e merr përsipër mbrojtjen e tij, pavarësisht se pagesa bëhet nga shteti. Duke iu druajtur një rigjykimi të çështjes, Kolegji Penal po vepron me ngadalësi dhe po diskuton çdo vendim të ndërmjetëm.
Pavarësisht përpjekjeve të trupit gjykues, dhomat e avokatisë, Ministria e Drejtësisë dhe KLD-ja ende nuk janë shprehur për këtë gjyq, madje nuk është bërë asnjë inspektim. Duket se i pandehuri po tallet haptas me drejtësinë, e cila është e pafuqishme për të zhvilluar një proces normal, megjithëse akuzohet për vrasje të katërfishtë.
Dritan Dajti sfidon hapur drejtësinë: Nuk dua të gjykohem! burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email