E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB gozhdon Imamin: Theu embargon e armëve në Libi

Gazeta Shqip

Zbulohet raporti i grupit hetimor. Tre avionë çuan armë në Bengazi në shtator 2011

Fluturimet - Autoritetet shqiptare u kanë deklaruar ekspertëve të OKB-së se ata nuk ishin në dijeni të devijimit të fluturimeve, por hetuesit e OKB-së thonë se ata kishin dijeni dhe kjo faktohet nga kërkesa për ulje që avioni, i cili ka transportuar armët, ka bërë pranë autoriteteve shqiptare

Muhamed Veliu / Klodian Tomorri

Arben ImamiDyshimet dhe akuzat se Shqipëria, një vend anëtar i NATO-s, është përfshirë në trafikun ndërkombëtar të armëve, kanë marrë përmasa të tjera. Pas lajmit të botuar në gazetën Shqip për hetimet e kryera ndaj Shqipërisë, Top Channel ka siguruar një raport të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili provon se në vitin 2011 autoritetet shqiptare kanë shitur armë në Libi, duke thyer embargon që OKB-ja kishte vendosur ndaj këtij vendi, i cili në atë kohë ishte i përfshirë nga konflikti i armatosur. Raporti zbulon se trafiku është kryer vetëm një muaj para vrasjes së diktatorit Muamar Gadafi. Grupi hetimor i OKB-së, i cili ka zhvilluar disa vizita faktmbledhëse në Tiranë, ka dokumentuar se në datat 10, 11 dhe 12 shtator të vitit 2011, nga Aeroporti i Rinasit janë nisur tre avionë me armatime shqiptare, të cilët, sipas dokumentacionit, duhet të mbërrinin në Emiratet e Bashkuara Arabe, por në fakt kanë përfunduar në qytetin libian të Bengazit.

Skema e trafikut, që përfshin disa kompani, nis me MEICO-n, kompaninë publike të Shqipërisë për eksport-importin e armëve. Në korrik të vitit 2011, MEICO është kontaktuar nga një kompani armene me emrin D G Arms Coorporation, që kërkonte të blinte armatim, për llogari të Emirateve të Bashkuara Arabe. Por MEICO preferoi që shitjen ta kryente te një kompani shtetërore, çfarë bëri që në skemë të përfshihej edhe Ukrinmash, një kompani e zotëruar nga qeveria ukrainase. Sipas investigimit të OKB-së, MEICO i ka shitur gjatë kësaj kohe kompanisë ukrainase 800 mijë fishekë të kalibrit 12.7×108 milimetër. Hetuesit e OKB-së kanë zbuluar se fishekët shqiptarë ishin pjesë e një sasie më të madhe prej 2 milionë copash që Ukrinmash duhej tu shiste Emirateve të Bashkuara Arabe së bashku me 1 mijë armë automatike Kallashnikov.

Për 1.2 milionë fishekët e tjerë nuk ka informacion se ku kanë përfunduar dhe hetuesit e OKB-së thonë se janë duke vazhduar hetimet.

Përtej kësaj skeme, që në letra dukej si tregti ligjore armësh, në të vërtetë është zhvilluar një trafik i jashtëligjshëm në aksin Tiranë-Bengazi. Ekspertët e OKB-së kanë faktuar se në datat 10, 11 dhe 12 shtator të vitit 2011, MEICO ka siguruar lejet e fluturimit për të eksportuar 800 mijë copë fishekë nga Rinasi drejt aeroportit ndërkombëtar të Abu Dabit. Por rruga e fluturimit është devijuar dhe tri ngarkesat e nisura për në Abu Dabi kanë përfunduar të tria në qytetin libian të Bengazit.

Kompania ajrore, që ka bërë transportimin e armëve, është armenia AYK AVIA, një kompani e vendosur më parë në listën e zezë të OKB-së për thyerje embargosh të armëve, posaçërisht në Somali.

Autoritetet shqiptare u kanë deklaruar ekspertëve të OKB-së se ata nuk ishin në dijeni të devijimit të fluturimeve, gjë e cila ka ndodhur jashtë hapësirës ajrore shqiptare. Por hetuesit e OKB-së thonë se kanë siguruar prova se disa prej autoriteteve shqiptare kishin informacion të bollshëm për këtë devijim, por nuk morën asnjë masë. Sipas tyre, kjo faktohet nga kërkesa për ulje që avioni, i cili ka transportuar armët, ka bërë pranë autoriteteve shqiptare. Ndonëse ngarkesa e armëve kishte destinacion Emiratet e Bashkuara Arabe, në kërkesën zyrtare të avionit transportues që u është dorëzuar autoriteteve aeroportuale shqiptare, ka qenë i përcaktuar që më parë itinerari Tiranë Zarzis (Tunizi) – Bengazi. Në kërkesën për ulje saktësohet se materiali që do të transportohet, cilësohet si i rrezikshëm, çka provon se bëhej fjalë për armatime. Po kështu, thotë raporti, planet e fluturimit ishin bërë të ditura për autoritetet aeroportuale të Shqipërisë përpara fluturimit të parë dhe tregonin se destinacioni ishte Bengazi. Në total janë bërë tri të tilla, që kanë ndjekur të njëjtin itinerar mes Tiranës dhe Bengazit pa u pyetur nga autoritetet shqiptare.

Raporti zbulon se Shqipëria i ka dërguar një letër panelit investigativ të OKB-së, ku sqaron se devijimi i njëanshëm i rrugës së tre avionëve që transportonin armë, nuk ka mundur të vihet re dhe ndalohet nga autoritetet shqiptare dhe ato ndërkombëtare duke e justifikuar me një gabim njerëzor dhe mungesë vëmendjeje nga agjentët e trafikut. Në po të njëjtën letër, autoritetet shqiptare thonë se qeveria e Shqipërisë nuk ka asnjë plan apo vendim për të ndërmarrë veprime në kundërshtim me rezolutën e Këshillit të Sigurisë dhe se ka nisur një hetim të brendshëm për të verifikuar shkaqet e dështimit për të parandaluar këtë trafik. Në raport, OKB-ja vlerëson se Shqipëria, ndryshe nga Emiratet e Bashkuara dhe Armenia, ka bashkëpunuar plotësisht me panelin e hetuesve të saj, duke ofruar të gjithë informacionin e kërkuar.

OKB gozhdon Imamin: Theu embargon e armëve në Libi burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›