E Diel, 1 Nëntor 2026

Dritan Dajti, skeda kriminale e një juristi shembullor

Profili i juristit që komentohej nën zë si “baron” i botës së krimit të organizuar. Që nga akuza e paqartë për vrasjen e biznesmenit deri te arratisja që e bëri të famshëm

Dritan Dajti ishte duke ecur normalisht në rrugën “Myslym Shyri” në vitin 2001, kur një patrullë policie e ndali, i vuri prangat dhe i komunikoi ende pa hyrë në makinën e policisë akuzën për vrasjen e biznesmenit Agim Beqaj (ngjarje e ndodhur në vitin 1999). Në momentin e arrestimit nga policia, në xhepin e këmishës Dajti kishte librezën e studentit. Ai ishte duke përfunduar Fakultetin e Juridikut. Që nga kjo ditë për Dritan Dajtin nisi një betejë zhgënjyese me Drejtësinë, ku në mungesë të provave të pakontestueshme Dajti kërkonte pafajësinë. Të afërmit e biznesmenit të vrarë deklaruan disa herë në sallën e gjyqit se nuk e njihnin Dritan Dajtin dhe se nuk kishin kurrfarë konflikti me të. Nga ana e tij, Dajti, në seancat gjyqësore, deklaroi hapur se po bëhej “kokë turku” dhe se policia po lante hesapet me vrasjen e biznesmenit duka ia veshur autorësinë padrejtësisht atij nën presionin e vrasësve të vërtetë që sipas Dajtit kontrollonin shumë fije pushteti si në Gjyqësor, ashtu edhe në Ekzekutiv. E megjithëse ndaj tij policia dhe prokuroria kishte prova jodomethënëse, Dritan Dajti u dënua, madje u dënua edhe në Gjykatën e Apelit. Në vitin 2003, pasi kishte qëndruar dy vite i burgosur, Dritan Dajti fitoi të drejtën për t’iu rishqyrtuar dosja pas një vendimi të Gjykatës së Lartë, në të cilin ishin konstatuar parregullsi të mëdha gjatë gjykimit në dy shkallët e para të Gjyqësorit.
Arratisja
Gjykata e Lartë i hapi dritën jeshile Dritan Dajtit që të rigjykohej sërish në dy shkallët e para, por juristi i prangosur nuk kishte më dilema, për të sistemi gjyqësor ishte një sistem vertikal padrejtësie, korrupsioni dhe bakshishi. Ky mosbesim i thellë i Dritan Dajtit ndaj Gjyqësorit shqiptar e nxiti atë që të vepronte sipas metodës së vet dhe të organizonte arratisjen spektakolare që i dha famë. Më 17 nëntor të vitit 2003 Dritan Dajti mbërriti në Gjykatën e Faktit në Tiranë për një tjetër seancë rutinë gjykimi. Porsa u ngjitën në katin e tretë të Gjykatës Dajti u kërkoi policëve që e shoqëronin të shkonte për një çast për nevoja personale në banjë. Duke qenë se policët e kishin shoqëruar me dhjetëra herë Dajtin, ata e lanë të shkonte i vetëm në tualet, pasi për dy vite me radhë Dritan Dajti nuk kishte sjellë asnjë shqetësim për policët shoqërues. Ishte ora 10:30 dhe në sallën e gjyqit kishte mbërritur vetëm kryegjyqtari. Njëri prej policëve futi dorën në xhep, nxori çelësin dhe hapi prangat nga njëra dorë, duke i lënë të varura në dorën tjetër të të pandehurit. Dajti u fut në tualet dhe pas pak sekondash doli që andej me një pistoletë të formatit të vogël "Makarov" të prodhimit rus në dorë. Pistoletën ia kishin lënë sipas porosisë në ujëshkarkuesin e tualetit. Me të dalë nga tualeti, Dajti u ulëriti policëve të mos lëviznin, shoqëruar kjo me një të shtënë në tavan të katit të dytë të Gjykatës.
Ndihma
Në pak sekonda ai u hodh me vrap mes shkallëve dhe njerëzve duke u drejtuar për te shkallët e duke vazhduar të qëllonte. Të shtënat kishin bërë që të gjithë të shtriheshin përtokë. Ndërsa në katin e parë ai ishte rrëzuar përtokë, duket në nxitim e sipër, apo nga ndonjë stërkëmbësh polici. Me të dalë në sheshin para Gjykatës, Dajti ka qëlluar sërish në ajër. Njëkohësisht, në anën e majtë të Gjykatës, dikush tjetër ka qëlluar me pistoletë në ajër për të tërhequr vëmendjen e policëve, të cilët, duke u vënë në ndjekje të Dajtit, kishin nxjerrë edhe armët. Por të shtënat në ajër (sipas një dëshmie është qëlluar edhe nga ana tjetër e Lanës) i kanë trembur policët, të cilët janë frenuar. Sekonda të vlefshme këto që i kanë mjaftuar Dajtit të kërcejë mbi një motoçikletë që e priste me motor ndezur. Drejtuesi i motoçikletës është nisur me urgjencë në drejtim të kundërt të lëvizjes së makinave dhe para se të mbërrinte te ish-ekspozita "Shqipëria sot" është futur majtas në lagje. Silueta e motoçikletës që futej nëpër lagje ishte dhe imazhi i fundit që la Dritan Dajti për efektivët e policisë. Për gjashtë vite me radhë ai “avulloi”, humbi të gjitha gjurmët, ndërsa në këto gjashtë vite lirie të Dajtit, emri i tij u kthye në “legjendë”, aq sa nën zë shumë veta e pëshpëritnin sa herë që emra të njohur të botës së krimit në kryeqytet gjendeshin të vrarë. Dritan Dajti kishte fituar namin e një njeriu që minimalisht duhej të bëje sikur nuk e shikoje dhe nuk e dije se ekzistonte, në të kundërt, pasojat mund të ishin fatale. Nën zë dhe të kompleksuar ia përmendin emrin policë e prokurorë, sa herë “ngacmoheshin” nga kurioziteti i gazetarëve. Përtej këtij nami, Dritan Dajti ka pasur një jetë të vetën njerëzore, për të cilën vetë Dajti akuzonte shpesh se ia ndërprenë në mes me akuzën për vrasjen e biznesmenit që, sipas tij, ishte një lojë e stisur nga policë të kontrolluar nga grupe të fuqishme dhe gjykatës të korruptuar.
H. Hasani

Në vitin 2005 policia e rrethoi 2 herë Dajtin dhe e “humbi” në sekondën e fundit

Në muajin mars të vitit 2005 Dajti ka arritur të thyejë një postbllok të policisë rrugore të Durrësit. Dajti ka qenë në një makinë me targa të huaja duke udhëtuar në autostradë. Në moment policia e ka ndaluar. Me syze të errëta dhe me një veshje të firmës, i shumëkërkuari fillimisht është treguar i "edukuar". Ka ndaluar. Më pas, kur është njohur nga polici i qarkullimit, ka përdorur metodën e vet të kalimit. Dajti i ka drejtuar pistoletën policit duke i thënë: "Mos e hap gojën se ndryshe t’i hodha trutë në erë". Pas këtij veprimi, i dënuari me 20 vjet burg është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Përpara këtij episodi Dajti i shpëtoi një tjetër rrethimi policor që vuri në pranga katër shokë të tij. Në një aksion të forcave “Renea” te ish-ekspozita “Shqipëria sot”, mes pallateve të kësaj lagjeje, forcat “Renea” ndërhynë duke ndalur në befasi një automjet të dyshimtë. Tre nga personat që ndodheshin në autoveturën me targa të huaja AT 347 XV kanë mundur të largohen me shpejtësi, ndërsa policia i ka ndaluar. Vetëm njëri prej të arratisurve është vënë në pranga, ndërsa dy të tjerët nuk u kapën. Gjatë ndjekjes, agjentët e policisë kanë arritur të identifikojnë njërin prej të arratisurve, që ishte Dritan Dajti.

Dajti shpresonte në Strasburg, vitin e kaluar dosja e tij u pranua të shqyrtohej

Në vitin 2008, katër vite pasi kishte humbur çdo shpresë se çështja e tij do të rishqyrtohej ndonjëherë nga Drejtësia shqiptare, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg i hapi dritën jeshile Dritan Dajtit. I cilësuar si një nga nëntë personat më të kërkuar në Shqipëri dhe njëkohësisht i skeduar në listën e personave me kartelë të kuqe (niveli më i lartë i rrezikshmërisë) nga Interpoli, Dajti dukej sikur i kishte dhënë fund njëherë e mirë lirisë së tij. Arratisja spektakolare nga Gjykata e Tiranës më 17 nëntor 2003, aq shumë e pasqyruar nga media, ndikoi mbi agjencitë ligjzbatuese që vendosën t’i “lanin duart” përfundimisht me të, duke i dhënë një dënim të ashpër, i cili mori formë të prerë brenda 12 muajsh. Kur dukej se gjithçka kishte marrë fund dhe nuk kishte alternativë tjetër për Dajtin, veçse vuajtjes së dënimit pas hekurave të burgut, Gjykata e Strasburgut vendosi të pranojë ankimin e bërë prej tij dhe të marrë në shqyrtim Vendimin nr. 711. Dajti u dënua në mungesë me 20 vite burg nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë më datë 29 qershor 2004. Dy shkallët e tjera të Gjyqësorit e lanë në fuqi këtë vendim, duke i shuar çdo shpresë për rifitimin e lirisë 37-vjeçarit që këmbëngulte se jo vetëm nuk ishte fajtor, por se nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjet për të cilat akuzohej. Pranimi i ankimimit të tij nga Gjykata e Strasburgut i jep dhe një shans tjetër për të vënë në vend drejtësinë. Pasi i kishte konsumuar të gjitha rrugët ligjore me Drejtësinë shqiptare, Dritan Dajti dhe mbrojtja e tij vendosën t’i drejtohen me një ankimim të argumentuar në prova dhe fakte Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Fashikulli me kontestimet për Vendimin nr. 711 mbërriti në sekretarinë e Gjykatës së Strasburgut më datë 19 qershor 2008. Trupa e ekspertëve e kësaj gjykate, pasi shqyrtoi me imtësi pretendimet e Dajtit dhe dosjen e tij, brenda tri javësh vendosi ta pranojë ankimimin. Më datë 17 korrik 2008, Seksioni i Katërt i Gjykatës së Strasburgut e njoftoi Dajtin nëpërmjet një raporti zyrtar se ankimimi i tij ishte pranuar. Dosja gjyqësore e emërtuar nga Gjykata e Strasburgut si çështja “Dajti kundër Shqipërisë” mban numrin 33406/08. Në këtë raport thuhet qartësisht: ”Rasti juaj do të trajtohet nga Gjykata, bazuar te dokumentet dhe të dhënat e paraqitura nga ana juaj”. Më tej, në këtë raport, shkruhet: ”Është e rëndësishme që të njoftoni Gjykatën për çfarëdo zhvillimi të rëndësishëm të çështjes suaj dhe të vini në dispozicion të saj çdo vendim të nevojshëm marrë nga organet e brendshme”.

8 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›