E Diel, 1 Nëntor 2026

Homazhe për policët e rënë; Berisha: Do të veprojë ligji

Qytetarë të shumtë, personalitet të fushave të ndryshme po zhvillojnë homazhe përpara trupave të pajetë të katër punonjësve të policisë, Drejtues Fatos Haqir Xhani, kryeinspektorët Kastriot Çlirim Feskaj, Saimir Islam Duçkollari dhe Altin Idriz Dizdari që u vranë në plazhin Iliria në Durrës, në përpjekje për të kapur Dajtin, i cili hapi zjarr ndaj tyre.  

Në orën 12:00 zhvilloi homazhe në nderim të 4 policëve dhe Kryeministri Sali Berisha.
Ai ngushëlloi familjet e viktimave duke e cilësuar ngjarjen si tejet të dhimbshme, por ritheksoi edhe mbështetjen për forcat e policisë.

“Dritan Dajti ishte një kërcënim i madh, ndërsa sakrifica e policëve një vullnet i hekurt. Ne u japim mbështetjen me të plotë forcave të rendit dhe sigurojmë se ligji do të veprojë me të gjithë forcën e tij ndaj Dajtit”, u shpreh Berisha.

Homazhe kanë kryer edhe ministri i Brendshëm Bujar Nishani, anëtarë të tjerë të kabinetit, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli,drejtues të Partisë Socialiste e Lëvizjes Socialiste për Integrim, përfaqësues diplomatike të akredituar në Tirane, si dhe mijëra qytetarë të thjeshtë, miq e të afërm të policëve të vrarë.

Dita e sotme është shpallur Ditë Zie Kombëtare nga Këshilli i Ministrave, ndërsa katër punonjësit e  policisë janë  shpallur Dëshmorë të Atdheut dhe do të prehen në Varrezat e Dëshmorë në Tiranë.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›