E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dritë jeshile për rrugën Shëngjin-Kune

Rruga Shëngjin-Kune shpesh herë ka qenë në fokus të kronikave mediatike për shkak të amortizimit tërësor të saj.  Me problemin e amortizimit të kësaj rruge gjatë sezonit turistik janë përballur pushuesit dhe bizneset, ndërsa për banorët e Kunes kjo rrugë është problematike në çdo stinë. Sipas tyre, ka 20 vite që nuk është vënë dorë dhe që premtohet ndërtimi i kësaj rruge, por që realisht asnjë projekt konkret nuk është realizuar. Në stinën e dimrit kjo rrugë është e pakalueshme si për këmbësorët, ashtu edhe automjetet, të cilët zgjedhin brezin e rërës për të lëvizur.

Ndërkohë kryetari i Komunës së Shëngjinit Salvador Kaçaj ka theksuar se ka përfunduar projekti dhe tenderi pritet të bëhet në muajt janar-shkurt, ndërsa punimet të nisin në muajin mars. Sipas kreut të komunës për këtë rrugë nga qeveria shqiptare si edhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të investohen 4 milion euro. Faza e parë e punimeve do të përfundojë në qershor. Gjithashtu sipas kreut të komunës, në janar do të tenderohet edhe projekti për shëtitoren e qytetit të Shëngjinit për të cilën do të investohen 11 milion lekë.

Lindita Kokaj

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›